Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në vendimin nr.478, datë 10.07.2019, lidhur me procedurat e sigurisë për gjyqtarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas ndryshimit në Pikën 3 të këtij vendimi, garantimi i mbrojtjes personale për kryetarët e gjykatave dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bëhet përmes shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një periudhë që nuk do të kalojë dy vjet pas përfundimit të mandatit.
Ndërkohë, mbrojtja personale e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme do të sigurohet me truprojë të nivelit bazë dhe të nivelit të mesëm gjatë mandatit dhe për një afat deri në tre vjet pas përfundimit të tij.
Këto masa synojnë forcimin e sigurisë për zyrtarët që përballen me raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbrojtje të vazhdueshme edhe pas përfundimit të detyrës.
Njoftimi:
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi një sërë vendimesh:
-Ndryshim në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Në Pikën 3 te vendimit “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.
BalkanWeb