Përfaqësues të shërbimeve të koordinimit kundër mashtrimit nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, së bashku me përfaqësues të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), ndodhen këtë javë në Tiranë për të ndarë përvoja dhe praktika më të mira në luftën kundër abuzimit me fondet evropiane.
Lajmi u bë i ditur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksohet rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe evropian në rritjen e efektivitetit të masave kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e fondeve të BE-së, por edhe me mbrojtjen e financave publike kombëtare dhe forcimin e besimit te qeveritë tuaja,” deklaroi Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Ai theksoi se rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit janë thelbësore për përparimin në procesin e integrimit evropian të vendeve kandidate, duke shtuar se transparenca dhe llogaridhënia janë shtylla kyçe për një administratë të besueshme dhe efikase.
BalkanWeb