Shqipëria dhe Serbia “përplasen” në Leskovac në 11 tetor, në një sfidë vendimtare për kualifikueset e botërorit. Ish-lojtari i kuqezinjve, Hamdi Salihi, bëri komentin e tij për këtë ndeshje, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24.
Në bashkëbisedimin e bërë me Trevisa Tufën, Salihi kujtoi edhe tmerrin e 11 viteve më parë, ndërsa thotë me bindje historia s’do përsëritet.
Salihi, 11 vite më parë ishit në Beograd, provove nën lëkurë tmerrin e ndodhur atë mbrëmje, sot 11 vite më pas, çfarë ndjesie të jep kjo ndeshje në Serbi?
Ndoshta është ndeshje ndryshe nga të tjerat për shkak të historisë, por vjen një moment që kemi hyrë në një fazë tjetër. Tani jemi pretendent për kualifikim në kompeticione të mëdha, tani fillojmë që këto gjëra t’i anashkalojmë dhe fokusi është te 3 pikë.
I druhesh ndonjë incidenti? Si i ke parë lëvizjet e Federatës Serbe, spostimin e ndeshjes, pa tifozë ultras, etj. Duhet sikur Serbët kanë më shumë frikë tifozët e tyre se sa Shqipërinë, kujtojnë humbjen në tavolinë…
Nuk i druhem diçka-je, siç kaloi ndeshja në Tiranë, do kalojë dhe atje. Më pëlqeu rëndësia që i ka dhënë shteti dhe Federata. Janë duke u përpjekur që t’i dalin para të gjitha të papriturave. Kam ndenjur edhe me njerëz ku kam diskutuar vetëm anën sportive. Nuk diskuton më njeri incidentet dhe kjo ka rëndësi.
Salihi, të shqetëson forma e Kombëtares këtë periudhë? Kemi humbur jo pak nga shkëlqimi i atij ekipi që u kualifikua në Evropian, çfarë nuk shkon, ku gabuam këtë periudhë?
Ne jemi duke përjetuar fazën e pritshme që ndodh pas një arritje të madhe. Ekipi është stabilizuar, nuk është më surprizë, e ka gjetur pozicionin e vet në rënditjen europiane dhe botërore. Pastaj është me faza, një ndeshje mund të shënosh gola dhe një ndeshje nuk mund të shënosh shumë. Nuk është më lojë e hapur.
Nuk është se Serbia është rival i frikshëm, i pamposhtur, janë një përfaqësuese në krizë, nuk kanë një atmosferë të mirë, mungesa, lojtarë kundër trajnerit, pse të mos tentojmë fitoren? Ose më saktë, çfarë na duhet për të marrë fitoren?
Askush nuk thotë që do shkojmë dhe nuk fitojmë. Ky është niveli jonë, kemi hyrë tani në këtë shkallë dhe këta janë rivalët tanë. Polonia, Çekia, janë rivalët tanë, ndërsa s’jemi te rivalët A si Spanja.
A e vendos kjo ndeshje fatin e vendit të dytë në Grupin K?
Ngaqë është rivali direkt, me këtë po bëjmë garën për vendin e dytë, atë të Play off. Vendi i parë është i vështirë, pasi Anglia nuk po gabon. Kjo ndeshje është vendimtare për rënditjen, por nuk mund të them për trajnerin. Trajneri u bë vite që punon, mund ta masësh me gjithë rrugën, nuk mund ta vlerësosh me vetëm një ndeshje.
Më jep një parashikim Salihi, si del ndeshja?
0-1 për ne.
BalkanWeb