Rikthime dhe mungesa te Partizani, shqetëson mesfushori afrikan para transfertës në Vlorë

Partizani e ka lënë pas humbjen në derbi ndaj Tiranës dhe të gjithë fokusin e ka te Flamurtari. Takimi me vlonjatët do të zhvillohet në fundjavën e ardhshme.

Oltijon Kërnaja u prezantua të martën si trajner para ekipit, duke iu besuar projekti në fushë. Dy ditët e para të stërvitjes kanë shkuar si normalisht. Dihet që në këtë periudhë Partizani ka disa lojtarë të angazhuar me ekipet e moshave të Kombëtares. Rikthimet ndërkohë janë një lajm mjaft i mirë, ndërsa si problem mund të shikohet mungesa aktuale e Rouen Hjumen. Fitorja ndaj Flamurtarit është si oksigjen për situatën te kryeqytetasit. Faza e parë mbyllet me ndeshjet ndaj Dinamos dhe Egnatias, që gëzojnë tjetër atmosferë në skuadër.

SEMBENE DHE DOUMBIA- Partizanit i janë kthyer në stërvitje dy futbollistë, të cilët pritet të luajnë rol të rëndësishëm në vazhdim. Bëhet fjalë për mbrojtësin Sembene dhe mesfushorin Doumbia. Të dy kanë lënë plotësisht pas dëmtimet, ndërsa janë gati të kontribuojnë në këtë moment delikat. Sembene do synojë menjëherë vendin e titullarit. Senegalezi në mbrojtje bashkë me Prekën shikohen si garanci.

MARKU- Mbrojtësi i djathtë mungoi në seancën e djeshme stërvitore. Albion Markut iu dha mundësia që të punojë me pjesën tjetër të ekipit kombëtar nën dispozicionin e Silvinjos. Marku nuk ka një ftesë zyrtare, ndërsa është thirrur në “Shtëpinë e Futbollit” si plotësues për seancën stërvitore. Bashkë me të, trajnerit Kërnaja i mungojnë edhe disa lojtarë.

MOSHAT E KOMBËTARES- Asnjë klub tjetër i Superiores nuk ka të njëjtin numër lojtarësh të ftuar për ekipet e moshave të Shqipërisë. Gjergji Kote, pasi la plotësisht pas shqetësimet fizike, është thirrur sërish nga Alban Bushi. Bashkë me të edhe Rrok Toma, ndërsa mungon ftesa për Besar Gudjufin. Tedi Malaj ndërkohë po kontribuon te Kombëtarja U-19. Himallari dhe Vata, dy 16- vjeçarët e Partizanit, janë ftuar tek ekipi kombëtar i U-17. Minutat për ta në këtë kampionat kanë munguar. Lojtarët që e kushtëzojnë Kërnajën për momentin janë Kote, Toma dhe Malaj.

HJUMEN DHE MARTINEZ- Shqetësimi i vetëm duket se është Rouen Hjumen. Fantazisti ka fituar menjëherë vendin e titullarit, sapo arriti në formën më të mirë fizike. Hjumen, që luajti titullar ndaj Elbasanit, Bylisit dhe Tiranës, ka patur një kontraktim. Për këtë edhe ka munguar në stërvitje. Javën e ardhshme do të kthehet me pjesën tjetër të grupit, ndërsa mbetet për t’u parë a do të jetë plotësisht i gatshëm për takimin me Flamurtarin. Martinez vijon të mos jetë në dispozicion të Partizanit, ndërsa po lë pas dëmtimin serioz. Mbrojtësi nga Kosta Rika vijon në palestër dhe rikthimi në fushë nuk duket larg.

HJUMEN- Partizani e afroi Rouen Hjumen në muajin gusht. Aktualisht nuk po stërvitet me skuadrën, për shkak të një kontraktimi. Besimi qëndron se do jetë gati për sfidën ndaj Flamurtarit. Me vlerësimin 850 mijë euro në “transfermarkt”, Hjumen është edhe lojtari me vlerën më të lartë për Superiore. Fantazisti është edhe pjesë e përfaqësueses së Afrikës së Jugut.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×