VETTING/ “Kam 33 vite që kërkoj pronën e babait”! Historia e Sefedin Shefës, si i mori tokën Ferit Tabaku me dokumente të falsifikuara dhe ndërtoi pallat. Institucionet mbyllën sytë

Emisioni investigativ “Vetting”, News24

Gjyqtarë dhe Prokurorë qarkullojnë dokumente të falsifikuara
Me 9 shtator 2025, Sefedin Shefa do të merrte goditjen e radhës nga Gjykata dhe Prokuroria shqiptare. Në një akt të paprecedentë në kundërshtim me frymën e shtetit ligjor, në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe pa asnjë droje në sallën e gjyqit, gjyqtari Alfred Konomi nuk do të eleminonte dokumentet e falsifikuara, duke e pushuar çështjen. Madje duke shkelur Kodin e Procedurës Penale, gjykatësi Konomi do të dilte dhe hynte në mes të seancës nga dera e Gjykatës bashkë me prokurorin Ervis Allia dhe prokuroren Merita Selimi sikur ky institucion të ishte pronë private.

“Kërkoj drejtësi”, thotë Shefa dhe shikimi i tij përhumbet në mendimet që e kaplojnë hera-herës.

Ka vetëm një autor sipas tij dhe indiciet e gjetura nga “Vetting” faktojnë se personi që del në skenë kur ka paligjshmëri është prokurorja e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe e rikthyer në detyrë, Merita Selimi.

E sigurtë nga rikthimi në detyrë pasi ishte hequr për shkak të pasurisë të pajustifikuar, prokurorja Selimi kalon kufijtë e arrogancës duke përdhosur uniformën e prokurorit.

“Kam 33 vite që kërkoj pronën e babait, ngela sa në një gjykatë në tjetrën”,  thotë Sefedin Shefa ndërkohë që shfryn i mërzitur.

Sipas avokatit Redi Ramaj, kemi një rast tipik ku një qytetar, i cili është viktimë e falsifikimit të dokumentave, viktimë e veprës penale, ka bërë kërkesë dhe i është drejtuar Gjykatës pasi Prokuroria nuk ka vepruar.

“I vetmi organ, i cili mundet të veprojë pas mosveprimit të Prokurorisë është Gjykata e rrethit Gjyqësor përkatës për asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara”, u shpreh avokati Ramaj për “Vetting”.

Roli i Prokurorisë dhe Gjykatës
Zanafilla e ngjarjes merr shkas në qytetin e Lushnjes, ku trualli mbi të cilin ishte ndërtuar ish-kinemaja dimërore, trashëguar nga babai, ishte baza e pretendimeve ligjore të pronësisë nga Sefedin Shefa.

Në fillimet e viteve 1990, pas procesit të privatizimit në Shqipëri, ky truall u përvetësua në mënyrë të paligjshme nga Ferit Tabaku, i cili sipas hetimeve dhe ekspertizave të shumta falsifikoi dokumentet për blerjen e kësaj prone, duke përdorur kontrata falsifikuese për të transferuar pronësinë në emër të tij.

Por për të filluar hetimet u desh kallëzimi nga Shefedin Shefa dhe Kujtim Pagria. Të dy ata, në vitin 2010 bën denoncimin, ku Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnje ngriti një hetim për falsifikimin e dokumenteve mbështetëse të pronësisë së ish-kinemasë dimërore të Lushnjes. Hetimet u koordinuan nga disa prokurorë gjatë periudhës, duke përfshirë Arben Dyla dhe Rovena Zoto, ndërsa më vonë në proces u përfshi edhe prokurorja Merita Selimi.

Nga hetimet konfirmohet se dokumentet kyçe për shitblerjen dhe privatizimin e pronës ishin ndikuar në mënyrë të paligjshme. Kontrata e shitjes, autorizimi i blerjes dhe genplani i truallit rezultuan të falsifikuara. Sipas raportimeve, sipërfaqja e truallit që ishte deklaruar ishte ndryshuar në mënyrë drastike, duke kaluar nga 433 metra katrorë në 686 metra katrorë, një manipulim që u konstatua qartë nga ekspertizat e kryera nga prokuroria në vitet 2010 dhe 2015.

Ekspertizat dhe analizat e thelluara zbuluan se falsifikimi kishte përfshirë ndryshimin e sipërfaqes së pronës së pretenduar të blerë, duke bllokuar kështu drejtësinë dhe duke i dhënë mundësinë Ferit Tabakut të pengonte kthimin e pronës së ligjshme. Raportet e ekspertëve dhe provat materiale në dosje ishin të qarta dhe faktike, duke konfirmuar fajësinë e personave të dyshuar, Faslli Turku, që ka qenë drejtor i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dega Lushnje, dhe vetë Ferit Tabakut.

Megjithatë, pavarësisht këtyre provave të forta, procesi penal për falsifikimin përfundoi me një vendim pushimi prej parashkrimit penal, pasi afatet ligjore për ndjekjen penale kishin kaluar. Ky vendim, megjithëse juridikisht i detyruar, përbën një dështim të rëndë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke lejuar që fajtorët të shpëtojnë nga ndjekja e drejtë penale, ndërkohë që pasojat civile dhe administrative për dokumentet e falsifikuara vazhduan të enden nëpër dyert e institucioneve.

Sikurse thuhet shprehimisht ne vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Ferit Tabaku ngriti një pallat shumëkatësh mbi këtë truall, në shkelje të ligjit dhe duke përdorur dokumente të vjedhura dhe të falsifikuara.

Sipas avokatit Redi Ramaj, Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, por edhe Prokuroria e Posaçme, në momentin e parë që konstaton dokumente të falsifikuara, duhet të marrë vendimin për asgjësimin e këtyre dokumenteve.

“Vazhdimi ose mosasgjësimi i tyre mund të sjellë efekte dhe pasoja dhe në vazhdim pas mbarimit të këtij procesi hetimor. Pra, është organi i parë i detyrueshëm me ligj, që të bëjë asgjësimin e të gjitha dokumentacioneve, kudo që ndodhen. Edhe nëse këto dokumenta janë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, në arkivë, në Gjykatë, apo në çdo institucion tjetër shtetëror. Këto dokumente duhet të asgjësohen,” tha avokati Ramaj.

Në vitin 2020, me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës, u mor vendimi për asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara nga institucionet publike, por ekzekutimi i këtij vendimi u pengua nga Gjykata dhe Prokuroria. U krye një manipulim i vazhdueshëm i proceseve, ku dokumentet e falsifikuara vazhdonin të përdoreshin në institucionet shtetërore, ndërsa pronari i ligjshëm nuk mund të rimerrte pronën.

Veçanërisht, prokurorja Merita Selimi, e cila kishte detyrën të zbatonte vendimet, u bë një pjesëmarrëse aktive në ngadalësimin dhe devijimin e procesit, duke akuzuar palën tjetër për falsifikim dhe duke përdorur pushtetin prokurorin për të mbrojtur palën që falsifikoi dokumentet.

Sipas Sefedin Shefës, kur doli në ankand prona, ish-kinemaja e Lushnjes, sipas ligjit ai kishte të drejtën e parablerjes si pronari i truallit.

“Duke qenë se nuk ishte e gjithë ndërtesa e kinemasë në truallin tim, komisioni nuk më dha të drejtën e parablerjes. Dy-tre muaj më vonë, më njohu truallin se ishte i imi, por nuk ma ktheu.

Prokuroria thotë shumë qartë se personat që e kanë falsifikuar janë Faslli Turku, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dega Lushnje, i cili e pranoi dhe vetë në Prokurori që e ka bërë ai korrigjimin, dhe Ferit Tabaku, që me këto letra të falsifikuara akoma kërkon të vazhdojë rrugën e tij”, tha Shefa për “Vetting.

Shefa deklaron se si palë e dëmtuar ka kërkuar nga Gjykata e Lushnjes fshirjen dhe asgjësimin e këtyre dokumentave të klasifikuara të falsifikuara nga organi i Prokurorisë.

“Vendim i datës 2 tetor 2020. E ka ekzekutuar Prokuroria duke i hequr nga qarkullimi të gjitha dokumentet, këta tre dokumenta që ishin të falsifikuara dhe mbi këto dokumenta është shkruar digjitura ‘i falsifikuar’, tek autorizimi i shitjes, tek kontrata e shitjes dhe gentiplani i truallit. Dhe tek Drejtoria e Pronave Publike Tiranë, dhe në hipotekën e Lushnjes dhe në Bashkinë e Lushnjes dhe në Qarkun e Fierit i cili mbulon Bashkinë e Lushnjes”, deklaroi Shefa.

Ky ishte një hap, që duhej ta kishte marrë organi i akuzës në Lushnje, që në momentin e marrjes së vendimit të saj për mbylljen e hetimeve. Prokuroria e Lushnjes, e cila u mjaftua me zbulimin e këtij skandali të falsifikimit të dokumenteve, i gjeti fajtorë Ferit Tabakun dhe Faslli Turkun, por  për efekt të parashkrimit të vepres penale nuk i dërgoi pas hekurave.

Ndërkohë Prokuroria duhej të kërkonte edhe asgjësimin e produkteve të veprës penale, që rezultuan të falsifikuara dhe e gjithë praktika e privatizimit.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×