Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja mund të ishte parandaluar. Kështu deklaron ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, i ftuar në ‘Kjo javë’ në News24. Përballë moderatores Nisida Tufa, Ajazi bëri një tablo të situatës në fjalë, ndërsa pohoi se nëse institucionet do të bënin detyrën e vetë, ngjarja nuk do të kishte ndodhir
.
Nëse një gjyqtar merr kërcënim, çfarë masash merren?
Gjyqtari nëse ka kërcënim, institucioni ka një degë aty që merret me këto çështje. I thotë së pari institucionit të vetë, më pas Policinë së Shtetit. Informacioni çohet deri te vendimmarrësi, që i vihet më pas të gjithë institucioneve. Kjo varet gjithçka nga niveli i kërcënimit.
A ka SHISH kapacitete dhe logjistikë të mjaftueshëm për të zbuluar nëse ka diçka që nuk shkon ndaj një funksionari të drejtësisë?
Besoj që po. Po t’i vihet SHISH, po. Nëse merr një sinjal të tillë, SHISH shkon te personi në fjalë. Ky personi që bëri vrasjen mund të kishte folur me dikë, mund të kishte shprehur problemet e veta me drejtësinë dhe nëse qëllonte rrjeti e kapte, informohej rasti. Dhe nëse ky institucion e ka marrë një indici të tillë, atëherë vepron SHISH.
Zoti Sadushi u shpreh se ngjarja ishte e paralajmëruar…A mund të parandalohej një ngjarje e tillë?
Është e mundur që të fitohen të tilla situata. Le të kthehemi në aspektin teknik. Nëse do të zbatoheshin detyrat e atyre që janë në institucione, ky rast do të ishte shmangur. Padyshim. Mjafton që në hyrje të institucionit. Nëse roja do të kishte parë monitorin dhe do kishte vërejtur se aty ka armë, do ta kishte ndaluar atë. Ose e kishte sinjalizuar sistemin që këtu ka një problem. Kjo është më shumë pasojë sesa shkak. Zoti Sadushi e ka thënë që kjo ishte një ngjarje e paralajmëruar, pasi sistemi përballet me shkelje të ligjit. Vetëm merr opinionin publik dhe gjyqtarët janë të kërcënuar. Këtu ka një krim që është i sofistikuar, organizata kriminale që bëjnë gjëra të rrezikshme dhe këto shkojnë përmes sistemit gjyqësor. Këta individë duhet të kenë mbrojtje profesionale. Furstrimi që ka ndodhur në këto vite, për çështjen e pronave apo gjyqe të zgjatura…ndaj duhej bërë sondazhet, që shteti të kuptojë opinionin e popullatës për këto institucione.
Rasti që ndodhi është kambanë alarmi apo rast i izoluar?
Janë të dyja. Edhe sikur të jetë një rast i veçantë, është një kambanë alarmi për të gjithë institucionet. Duhen bërë detyrat e shtëpisë. Administrata duhet të jetë e rregullt, drejtuesit të jenë të ndërgjegjshëm për institucionin dhe të bëjnë detyrën me përgjegjësi.
BalkanWeb