Shkatërrohet rrjeti i drogës në Itali, 7 në pranga, mes tyre 1 shqiptar

Dje, Policia e Shtetit në Itali ka arrestuar shtatë persona – gjashtë shtetas italianë dhe një shqiptar – për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarje. Hetuesit e Komisarit Scalo Romana, falë informacioneve të siguruara gjatë kontrolleve në territorin përkatës, identifikuan një apartament në Pieve Emanuele si vend të mundshëm për magazinim dhe shpërndarje droge. Rreth orës 13:00, efektivët që ndodheshin në pritë pranë ndërtesës në rrugën Santi, vunë re një 29-vjeçar italian që po kthehej në banesën e tij me makinë. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dy celularë dhe 320 euro cash. Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe sekuestruan 14.5 kg hashash (të fshehura në frigorifer), mbi 3 kg marihuanë, 300 gramë hashash shtesë, 9 gramë ketaminë dhe dy peshore precize – të gjitha të futura në një çantë të madhe në dhomën e gjumit.

Rreth orës 15:30, efektivët e Njësisë Mobile që po zhvillonin operacion antidrogë në zonën Benedetto Marcello, panë një të ri që doli nga një ndërtesë në rrugën Gaffurio me një çantë të madhe të zezë dhe hipi në një makinë të vogël me një person tjetër. Pas disa rrugicash, i riu zbriti në rrugën Settala dhe u kthye në banesë. Policia ndaloi për kontroll shoferin, një 51-vjeçar italian që kishte me vete 1.7 kg hashash dhe 350 gramë marihuanë, si dhe 23-vjeçarin italian, në apartamentin e të cilit, pas një kontrolli, u zbuluan dhe sekuestruan 11.8 kg hashash, 1.7 kg marihuanë dhe 199 cigare elektronike me përmbajtje THC.

Gjithashtu, hetuesit e Komisarit Garibaldi Venezia, gjatë një shërbimi antidrogë pasdite, vunë re një SUV të vogël që dyshohej të ishte përdorur për transport të lëndëve narkotike. Mjeti u nis nga zona Lambrate drejt Cornaredo (MI), ku drejtuesi zbriti dhe mori nga makina një çantë bosh për t’u futur në një vilë, ku u prit nga një person që e futi brenda. Rreth dhjetë minuta më vonë, ai doli me çantën dukshëm më të rëndë. Më pas, ai udhëtoi drejt Bollate (MI), ku u takua me një person tjetër që mbërriti me një SUV luksoz; të dy shkëmbyen një qese dhe një çantë. Të ndaluar rreth orës 19:00, drejtuesi i SUV-it luksoz – një 33-vjeçar italian – kishte me vete një qese me 1.150 kg kokainë, ndërsa drejtuesi i makinës së parë – një 49-vjeçar shqiptar – kishte fshehur në të brendshme 13.800 euro cash, të ardhura nga shitja e drogës së sapokryer. Në banesën e tij në Cesano Maderno (MB), policia gjeti edhe 5.000 euro të tjera të fshehura në një sirtar.

Për të verifikuar nëse vila në Cornaredo, ku ishte futur më herët shqiptari me çantën, përdorej për fshehjen e drogës, policia vendosi ta vëzhgonte objektin. Rreth orës 22:20, ata hynë në apartamentin ku banonin një 28-vjeçar dhe një 27-vjeçare italiane. Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 7.2 kg hashash, afro 4 kg kokainë dhe 4 kg marihuanë – të shpërndara në dollapë, në qese në dhoma dhe në frigorifer – si dhe peshore, pajisje për paketim me vakum, një makinë për numërim parash dhe një armë çakmak kalibri 8 mm pa shenjë dalluese të armëve të imitimit.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×