Shqipëria do të luajë sot në mbrëmje kundër Serbisë në Leskovac, ku fituesi i këtij takimi, me shumë gjasa do të blindojë vendin e dytë në grup.
Dy skuadrat janë përballur mes tyre 11 herë, ku mes këtyre ndeshjeve llogariten edhe ato që kuqezinjtë kanë luajtur në të shkuarën kundër ishJugosllavisë. Në 11 takimet e mëparshme, 3 ndeshje kanë qenë mes Shqipërisë e Serbisë, e 8 të tjera kanë qenë mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë, megjithatë fitorja e vetme e kuqezinjve ka qenë në 14 tetorin e vitit 2014, me rezultatin 0-3 në tavolinë, fitore kjo që e ndihmoi Shqipërinë të shkonte në Europianin e 2016 me 14 pikë.
Veç asaj fitoreje, kuqezinjtë nuk kanë arritur të fitojnë asnjëherë tjetër, teksa 8 fitore i ka Serbia kundër nesh dhe dy të tjera janë mbyllur në barazime, ku e fundit ishte në qershor në Tiranë. Kuqezinjtë do të synojnë që të marrin një tjetër fitore sonte në mbrëmje, ku padyshim që do të ishte një nga fitoret më historike.
BalkanWeb