Njoftimi i policisë:
PKK Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rolet”.
Fshehën në kamionët që drejtonin, 5 shtetas shqiptarë që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, arrestohen 2 shtetas.
Njëri prej të shtetasve të fshehur në kamionë, në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me mbi 7 vjet e gjysmë burgim, për vjedhje në Itali, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sekuestrohen kamionët, mjete identifikimi dhe celularë.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, si dhe si rezultat i administrimit të shpejtë dhe profesional të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin “Rolet”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit G. Xh., 48 vjeç dhe E. B., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi në kamionët që drejtonin, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u gjetën të fshehur 5 shtetas shqiptarë.
Nga verifikimet e mëtejshme në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se njëri prej 5 shtetasve që synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit, konkretisht shtetasi Indrit Lleshi alias Ibrahim Lleshi, 34 vjeç, i lindur në Dibër, ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Ankonës, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 7 vjet, 6 muaj e 9 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 34-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
BalkanWeb