Disa nota muzikore që pothuaj evokojnë tinguj çiftelie, shoqërojnë dy trupa që takohen, shtyhen, afrohen e ikin, në një skenë pothuaj të errët, ku spotet e dritave ndjekin dy qenie të shqetësuara. Nën titullin “Radian 40”, Besi Skura dhe Lurdi Dodgjini, e zotërojnë skenën e Festivalit Ndërkombëtar i Kërcimit. Koreografia, ndërthur etnosin shqiptar por edhe lidhjen me shpirtëroren përmes një siluete dervishësh, ndërsa vetë koreografi, sjell në të udhëtimin e tij.
“Ky edicion i katërt i festivalit është i bazuar te Mesdheu, dhe doja diçka si jugu i i Shqipërisë, jugu i Europës dhe ajo ngrohtësia dhe një gjendje anatoliane, përdora pak dervishin dhe përdora një valle popullore, por jo vërtetë vallen por një eko të saj, doja një ndjenjë, është ai radiani, është ai rrethi, për mua është cikli i jetës. Jeta ime pothuajse, fillon shkoi larg e pastaj erdha në atdhe”, tha koreografi Edi Blloshmi.
Ndërsa festivali bashkon stile, qasje e artistë nga vende të ndryshme të botës, nën drejtimin artistik të Angjelin Preljocajt, Koreografia, ndalet në një moment, në një pothuaj ritual, që të kujton një bekim përmes baltës a një mallkim të dheut që të përndjek, një dhe që e bart mbi krye e që të ndjek nëpër stinë e mote përtej deteve e maleve si në legjendat e hershme.
“Ajo rëra ishte atdhe, që do të thotë se kudo që shkojmë, kemi ato fijet lidhëse që na lidhin me atdheun, kur kam qenë jashtë edhe në Kanada, kam pas lidhjet me Shqipërinë dhe ai bashkimi, është atdheu. Për mua ajo rëra simbolizon atdheun tim. Po të shohësh balerinët në fillim, ia hedhin në kokë njëri tjetrin, simbolizon një lloj familje, diçka bashkë që na bashkon dhe në fund e mbaroj me dheun, që bie si shiu dhe ai më simbolizon atdheun e Shqipërinë” tha Blloshmi.
Vetë ai, përmes historisë së familjes, që përfshin disa emra të Blloshmëve, e pat atdheun herë si mall e si mallkim. Por si çdo rrënjë, që edhe të shënjon, përmes së mirës dhe të keqes, Blloshmin mbiemri jo vetëm e identifikon por edhe e përcakton.
BalkanWeb