Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran u takua sot me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Sipas njoftimit nga zyra për shtyp e OSBE-së, ambasadori Tarran rikonfirmoi partneritetin e fortë në çuarjen përpara të reformave në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, ndërsa reforma në drejtësi ishte në qendër të bisedës.
Tarran theksoi rëndësinë e vijimit të reformës gjithëpërfshirëse të nisur në vitin 2016, duke theksuar mbështetjen aktive të Prezencës së OSBE-së në këto përpjekje.
Fushat kryesore përfshijnë strategjinë ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030, mbrojtjen e viktimave të krimit, rritjen e kapaciteteve të SPAK-ut dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Ndihmën Juridike Falas dhe Shërbimin e Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror.
Paraburgimi ishte një tjetër temë kyçe e diskutimit.
Ambasadori Tarran vuri në dukje çështjen e përdorimit të tepruar të paraburgimit në Shqipëri dhe riafirmoi angazhimin e Prezencës për të trajtuar këtë çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Ai kujtoi angazhimin e gjatë të Prezencës në reformën penitenciare, përfshirë rolin e saj në krijimin dhe mbështetjen e Shërbimit të Provës, zhvillimin e legjislacionit dhe politikave, si edhe rritjen e kapaciteteve të stafit të burgjeve.
Ministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vijueshme të Prezencës së OSBE-së ndaj institucioneve shqiptare, duke theksuar përvojën e tij personale si ish-zëvendësministër i Brendshëm.
Ministri Lamallari riafirmoi, gjithashtu, angazhimin për bashkëpunim të mëtejshëm, përfshirë pjesëmarrjen në tryeza, diskutime dhe veprimtari të tjera të organizuara nga Prezenca.
Së bashku me autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë synojmë të ndërtojmë një sistem drejtësie më transparent, të përgjegjshëm dhe efikas në Shqipëri.
BalkanWeb