Është prezantuar sot raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë në Komisionin e Ekonomisë. Ka qenë Guvernatori i BSH-së, Genti Sejko ai që ka bërë një përshkrim të detajuar të raportit vjetor.
Duke iu referuar të dhënat të INSTAT, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë 2024-ës, i mbështetur nga rritja e konsumit. Ai shtoi se kërkesa e lartë e brendshme ka sjellë rritje të importeve. Sejko pohoi se rritja ekonomike është mbështetur nga rritja e sektorit të ndërtimit. Duke vijuar me shifrat, Sejko tha se sipas NSTAT, numri i të punësuarve në sektorin jo bujqësor u rrit me 3% dhe numri i papunësisë ishte në normën e minimumit historik 8.5% në 2024 dhe 8.3% në 4 muajt e 2025-ës.
PREZANTIMI I SEJKOS
Dëshiroj ta filloj këtë komunikim, duke ju falënderuar për ftesën dhe mundësinë e prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2024. Si gjithnjë, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë e shikon këtë prezantim jo vetëm si një moment esencial në përmbushjen e detyrimit të saj për transparencë dhe llogaridhënie para Kuvendit të Shqipërisë, por edhe si një platformë të çmuar shkëmbimi idesh e pikëpamjesh mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare të vendit, si dhe mbi sfidat e së tashmes dhe së ardhmes.
Përpara se të vijoj më tej, gjej me vend të theksoj se ky prezantim fokusohet në punën dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë përballë zhvillimeve ekonomike e financiare të vitit 2024. Megjithatë, në interes të ruajtjes së aktualitetit të këtij komunikimi, unë do të evidentoj edhe zhvillimet kryesore të vitit 2025 dhe një përmbledhje të shkurtër të punës sonë gjatë këtij viti.
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë është orientuar drejt përmbushjes së detyrave tona ligjore, të cilat fokusohen në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, mbështetjen e stabilitetit financiar, si dhe nxitjen e zhvillimit të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave. Paralelisht me to, kemi punuar për përmbushjen e angazhimeve tona institucionale, e veçanërisht për mbështetjen e procesit të integrimit evropian, si dhe kemi zbatuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2024.
Më lejoni t’i shtjelloj me radhë këto tema, duke filluar nga zhvillimet ekonomike dhe politika monetare. Ekonomia, inflacioni dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë vitit 2024, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe nga rritja e mëtejshme e të ardhurave të turizmit. Kahu pozitiv i zhvillimit të ekonomisë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025, me një rritje ekonomike prej 3.6% për gjashtëmujorin e parë të vitit. Kjo ecuri pasqyron kontributin e disa faktorëve, ndër të cilët gjej me vend të nënvizoj gjendjen e mirë financiare të sektorit privat, klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit. Nga ana tjetër, kërkesa e lartë e brendshme ka sjellë rritjen e importeve, ndërkohë që eksportet e mallrave janë frenuar. Ky frenim ka pasqyruar rënien e çmimeve dhe ngadalësimin e tregtisë botërore, problemet specifike të disa sektorëve eksportues, si dhe rritjen e kostove të prodhimit në përgjigje të rritjes së pagave dhe të forcimit të kursit të këmbimit. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit.
Rritja e kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua dhe në tregun e punës. Sipas të dhënave të Instat-it, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4% gjatë vitit 2024 dhe 4.3% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ndërsa norma e papunësisë regjistroi minimume historike, prej respektivisht 8.8% në vitin 2024 dhe 8.5% në tremujorin e dytë të vitit 2025. Rritja e kërkesës për punë nga bizneset dhe mungesa e fuqisë punëtore, kanë sjellë rritjen e pagave në sektorin privat, me një mesatare vjetore prej 8.6% për vitin 2024 dhe 9.5% për gjashtëmujorin e parë 2025.
Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie, duke zbritur nga niveli mesatar prej 4.8% në vitin 2023, në 2.2% për vitin 2024 dhe tre tremujorët e parë të vitit 2025. Reduktimi i inflacionit është nxitur nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, forcimi i kursit të këmbimit dhe zbatimi i një politike monetare proaktive e të balancuar. Për rrjedhojë, inflacioni i importuar ka shënuar një rënie të shpejtë, ndërsa presionet nga ekonomia vendase janë në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve.
Së fundi, dëshiroj të theksoj se balancat e brendshme dhe të jashtme të ekonomisë janë përmirësuar, ndërsa kapacitetet e vendit për të përballuar goditje potenciale janë forcuar. Në këtë kontekst, dëshiroj të veçoj tre zhvillime të rëndësishme:
Së pari, pozicioni i jashtëm i ekonomisë është konsoliduar, falë rritjes së mëtejshme të eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte. Gjatë vitit 2024, eksportet totale shënuan vlerën e 9.1 miliardë eurove, duke u rritur me 11% krahasuar me vitin paraardhës, të nxitura nga të ardhurat nga turizmi në vlerën e 5 miliardë eurove. Po ashtu, remitancat arritën 1 miliardë euro, ndërsa flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte në 1.6 miliardë euro. Të tre këta tregues kanë vijuar të rriten edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025: eksportet totale u rritën me 6.1%, remitancat me 4.3%, ndërsa investimet e huaja direkte me 1.1%. Në tërësi, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar vlera të larta pozitive gjatë tre viteve të fundit. Deficiti i llogarisë korrente ka zbritur nga një nivel mesatar prej 1.2 miliardë eurosh në vitet 2020-2022, në 0.45 miliardë euro për vitet 2023-2024. Niveli i mbulimit të deficitit të llogarisë korrente nga investimet e huaja direkte ka arritur një mesatare prej mbi 200% gjatë dy viteve të fundit, çka ka gjeneruar një tepricë oferte në tregun e brendshëm dhe forcimin e kursit të këmbimit të Lekut. Në pasqyrim të këtyre dinamikave, borxhi i jashtëm ra në 40.5% të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 46.2% në fund të vitit 2023. Po ashtu, rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, një tregues kyç i qëndrueshmërisë financiare të vendit, i janë afruar nivelit 7 miliardë euro, duke ofruar një garanci të rritur për investitorët e huaj.
Së dyti, pozicioni fiskal është përmirësuar më tej, sikurse tregohet nga reduktimi i deficitit buxhetor dhe i borxhit publik, respektivisht në nivelet 0.7% dhe 53.8% të PBB-së për fundin e vitit 2024.
Së treti, sistemi bankar ka përmirësuar treguesit e qëndrueshmërisë dhe ka konsoliduar rolin e tij ndërmjetësues. Këto zhvillime kanë rritur aftësinë e sistemit bankar për të furnizuar ekonominë me fonde të qëndrueshme dhe me kosto të ulëta, si dhe kanë ndihmuar në zgjerimin e përdorimit të instrumenteve moderne të pagesave.
Në pasqyrim të këtyre zhvillimeve, Shqipëria ka njohur për herë të parë në historinë e saj post-tranzicion, përmirësim të vlerësimit të borxhit sovran nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, çka kontribuon në uljen e kostove të financimit në tregun e huaj për sektorin publik dhe atë privat.
Kjo tablo dëshmon si kontributin e sektorit privat, ashtu edhe harmonizimin e mirë të politikave makroekonomike. Në veçanti, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka mundësuar vënien e inflacionit nën kontroll, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit.
Pas një faze normalizimi gjatë viteve 2022 – 2023, qëndrimi i politikës monetare u bë më akomodues gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 dhe vitit 2025. Kjo qasje u diktua nga nevoja për të rikalibruar kushtet monetare në një ambient me inflacion në rënie, në funksion të përmbushjes së objektivit tonë të inflacionit brenda një kohe sa më të arsyeshme dhe me një ndikim sa më minimal në ekonomi. Në këtë kuadër, ne ndërmorëm dy ulje të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë nga niveli 3.25% në fillim të vitit, në 2.75% në fund të vitit 2024 dhe në 2.5% në muajin korrik 2025. Paralelisht me të, ne intensifikuam blerjet e valutës në tregun vendas, duke tërhequr thuajse 914 milionë euro prej tij gjatë vitit 2024 dhe duke vijuar me ritme të ngjashme edhe gjatë vitit 2025. Rritja e prezencës tonë në tregun valutor synon frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit të Lekut, qetësimin e tregut valutor, si dhe minimizimin e pasojave potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në rast krijimi të pozicioneve spekulative apo rritjeje të volatilitetit të kursit.
Këto masa kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të financimit për familjet dhe bizneset. Normat e interesit të instrumenteve financiare në Lekë janë reduktuar, ndërsa kreditimi ka përfituar gjithashtu nga një qasje më pozitive e bankave ndaj sektorit privat. Për rrjedhojë, kredia për sektorin privat është përshpejtuar, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.7% në fund të vitit 2024 dhe 14% në tremujorin e tretë të vitit aktual. Kjo kredi ka mbështetur konsumin dhe investimet e sektorit privat, duke ruajtur një kompozim të mirë valutor dhe një cilësi të mirë të portofolit të kredisë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe ka arritur të balancojë përmbushjen e objektivit të saj të stabilitetit të çmimeve me atë të mbështetjes së aktivitetit ekonomik. Kuadri aktual i politikës monetare, në formën e një regjimi të inflacionit të shënjestruar dhe të një kursi të lirë këmbimi, ka rezultuar efektiv dhe i suksesshëm në përballimin e sfidave me të cilat jemi përballur. Ky kuadër, i zhvilluar dhe i sofistikuar më tej, do të orientojë vendimmarrjen dhe masat e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë edhe në të ardhmen.
[ Më lejoni tani ta kthej vëmendjen nga shtylla e dytë e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë: mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar. ]
Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar
Ecuria pozitive e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025 u pasqyrua edhe në sektorin bankar. Ky sektor njohu rritje të aktivitetit bankar, të nxitur nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe zgjerimi i bazës së depozitave, si dhe përmirësim të treguesve të shëndetit financiar. Për ilustrim, kapitalizimi i sistemit bankar ruajti nivele të larta, rreth 20.0%; treguesit e likuiditetit vijuan të qëndrojnë ndjeshëm mbi kërkesat tona rregullatore; ndërsa treguesit e rentabilitetit financiar të tij mbetën të kënaqshëm. Po ashtu, cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 4.0%, duke shënuar nivelet më të ulëta që prej vitit 2008. Paralelisht me të, analizat tona periodike sugjerojnë nivele të kontrolluara të rreziqeve sistemike dhe testet e rezistencës së sistemit bankar tregojnë një aftësi të mirë përballimi të goditjeve të mundshme makrofinanciare.
Në këtë kontekst, dëshiroj të nënvizoj se sistemi bankar ofron instrumente të sigurta për ruajtjen e kursimeve, furnizon ekonominë me kredi dhe produkte bankare, si dhe shërben si një amortizues i goditjeve që mund të pësojë ekonomia.
Në përmbushje të detyrave të saj ligjore për sigurimin e një sistemi bankar solid e të shëndetshëm, puna e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2024 u përqendrua në tre drejtime kryesore: (i) sigurimi i një kuadri rregullator mbikëqyrës efektiv, me qëllim identifikimin e hershëm dhe marrjen në kohë të masave për reduktimin e rreziqeve në aktivitetin e institucioneve që licencohen dhe mbikëqyren prej saj; (ii) hartimi dhe zbatimi i një politike të përshtatshme makroprudenciale, me qëllim kontrollin dhe parandalimin e rreziqeve sistemike; si dhe (iii) sigurimi i një kuadri funksional për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka.
Në vijim, do të ndalem më konkretisht në secilin prej drejtimeve të lartpërmendura, duke filluar nga aktiviteti ynë mbikëqyrës dhe rregullator.
Së pari, në funksion të forcimit të mbrojtjes së konsumatorit, gjatë dy viteve të fundit, ne kemi rishikuar plotësisht kuadrin rregullator për institucionet financiare jobanka dhe, në veçanti, për ato të mikrokredisë. Ndryshimet konsistuan në vendosjen e kritereve të reja për analizën financiare të individëve nga institucionet financiare jobanka, me qëllim mbrojtjen e tyre nga rreziku i pamundësisë për të shlyer detyrimet që rrjedhin nga huamarrja. Kriteret e vendosura sigurojnë një vlerësim të përshtatshëm të aftësisë paguese të individëve, duke marrë masa për kontrollin e kostove të tyre, si dhe synojnë minimizimin e rasteve të mbingarkesës së individëve me hua. Gjithashtu, duke filluar nga janari 2022, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh rregullatore, të cilat kanë kufizuar nivelin maksimal të normës efektive të interesit (NEI) për secilën kategori të kredisë konsumatore. Falë zbatimit të këtij mekanizmi rregullator, gjatë periudhës 2022–2025, norma efektive mesatare maksimale e interesit është reduktuar ndjeshëm, pothuajse me tre herë. Gjithashtu u kufizua edhe niveli maksimal i penaliteteve që mund të përllogariten nga bankat dhe subjektet financiare jobanka, duke vendosur si tavan shumën 30% të këstit ose kësteve të papaguara të kredisë.
Së dyti, në kuadër të ndryshimit të raportimit financiar në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, u ngrit një grup i posaçëm pune me qëllim rishikimin e plotë të kuadrit ekzistues të administrimit të rrezikut të kredisë, duke e përshtatur atë me standardet e reja dhe me praktikën e ndjekur nga institucionet evropiane.
Së treti, u hartua dhe u miratua rregullorja e re “Për administrimin e rrezikut operacional nga bankat, institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike”, si dhe u rishikua ajo ekzistuese për institucionet jobanka dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Ky kuadër përmirëson dhe qartëson kërkesat mbikëqyrëse për institucionet që janë subjekt i këtyre rregulloreve, duke i përditësuar ato me standardet dhe praktikat më të mira të tregut, si dhe duke forcuar mbikëqyrjen në distancë. Të dyja këto rregullore janë të bazuara në standardet e rishikuara të Komitetit të Bazelit për administrimin e rrezikut operacional.
Së katërti, edhe gjatë vitit 2024 vijoi puna për plotësimin e kuadrit rregullator me synim përafrimin e tij me acquis të BE-së, nëpërmjet miratimit të akteve të reja apo rishikimit të atyre ekzistuese. Përtej administrimit të rrezikut operacional, të përmendur më lart, përmirësimet rregullatore dhe metodologjike prekën veprimtarinë e ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe kërkesat licencuese, mbikëqyrëse dhe të administrimit të rrezikut në veprimtarinë e subjekteve jobanka.
Së pesti, gjatë vitit 2025 ne kemi forcuar kërkesat për licencimin dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor, kryesisht në lidhje me reputacionin e mirë dhe integritetin e zotëruesve të kapitalit, përfshirë edhe pronarët përfitues, në kuadër edhe të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet ndërkombëtare, duke synuar dhe plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve të Moneyval.
Së gjashti, ne kemi vijuar me ekzaminimet e bankave, institucioneve jobanka, shoqërive të kursim-kreditit dhe zyrave të këmbimit valutor. Ekzaminimet kanë pasur në fokus menaxhimin e rreziqeve, kryesisht ato të kredisë, zbatimin e praktikave më të mira në qeverisje, transparencën me klientët dhe rrezikun për pastrimin e parasë.
Së fundi, në zbatim të strategjisë së hartuar për përfshirjen e financës së gjelbër në proceset mbikëqyrëse, u hartua dhe u publikua për herë të parë udhëzuesi i kërkesave mbikëqyrëse për përfshirjen në proceset e brendshme të bankave të rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike.
Si aktor i rëndësishëm në sigurimin e stabilitetit financiar të vendit, misioni i punës sonë është monitorimi i rreziqeve sistemike dhe hartimi e zbatimi i politikës makroprudenciale me qëllim zbutjen dhe parandalimin e tyre. Deri në fund të vitit 2024, të gjitha bankat kanë qenë e mbeten subjekt i shtesës konservuese të kapitalit, në nivelin maksimal prej 2.5%. Në plotësim të tyre, gjatë vitit që shkoi, ne ndërmorëm për herë të parë rritjen e shtesës kundërciklike të kapitalit, me synim parandalimin e përhapjes së rreziqeve në sistem. Gjithsej u ndërmorën dy rritje, me nga 0.25% secila, të cilat kanë hyrë në fuqi gjatë vitit 2025.
Një tjetër fokus i punës në kuadër të identifikimit të hershëm dhe adresimit të rreziqeve në sistemin bankar, ka qenë dhe ecuria e tregut dhe e kredive për pasuri të paluajtshme. Miratimi në vitin 2023 i rregullores “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për pasuri të paluajtshme”, i parapriu vendimmarrjes në muajin qershor 2025, për rregullimin uniform të rrezikut të ndërmarrë nga bankat dhe klientët, në procesin e dhënies së kredive hipotekare. Ky rregullim prezanton në tregun shqiptar një instrument standard të bankave qendrore në vendet e zhvilluara, instrument i cili synon të kontrollojë dhe reduktojë rreziqet potenciale me të cilat mund të përballet sektori bankar nga ekspozimi i rritur ndaj kredive hipotekare.
Së fundi, në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, puna jonë u përqendrua në fuqizimin e aftësive për ndërhyrje dhe në përmbushjen e kërkesave minimale ndaj bankave për instrumentet e kapitalit dhe të detyrimeve të tjera. Paralelisht me to, ne kemi vijuar me plotësimin e kuadrit rregullator e metodologjik, si dhe me zhvillimin e kapaciteteve të bankave për vënien në zbatim të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
[ Në vijim dëshiroj të ndalem shkurtimisht në disa aspekte të tjera të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë, të cilat jo vetëm mbështesin funksionet tona parësore, por dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve në vend. ]
Aktivitete të tjera
Viti 2024 shënoi një moment historik për sistemin financiar shqiptar. Më 21 nëntor të vitit 2024, Shqipëria u pranua në juridiksionin e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro – apo siç njihet ndryshe, zona SEPA. Ky vendim shënoi një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian. Përfshirja e Shqipërisë konfirmoi nivelin e lartë të pajtueshmërisë ligjore të vendit tonë me atë të Bashkimit Evropian, në fushën e pagesave dhe të mbikëqyrjes financiare.
Të gjitha bankat në vend janë regjistruar në listën e institucioneve që mund të operojnë në skemat SEPA, dhe, duke filluar prej datës 7 tetor 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë nëpërmjet tyre transaksione ndërkufitare në Euro me 40 vendet anëtare në zonën SEPA (përfshirë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe vendet fqinje kandidate për anëtarësim në BE si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). SEPA mundëson që pagesat ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera anëtare të kësaj zone të funksionojnë me të njëjtat kushte si pagesat brenda vendit: të njëjtat komisione, afate dhe standarde teknike. Integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë eurosh në vitin e parë, me rritje progresive në vijim. Po ashtu, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro.
Duke qëndruar në këtë fushë, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë ka vijuar të punojë për garantimin e funksionimit të sigurt të sistemeve të pagesave dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm. Vetëm gjatë vitit 2024, u realizuan 42.3 milionë pagesa elektronike – me një rritje prej 24.4% – ndërsa numri i pagesave për frymë është më shumë se dyfishuar, duke arritur në 23, nga 10 në vitin 2021.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka shtyrë përpara disa projekte strategjike me rëndësi të veçantë për të ardhmen e sistemit të pagesave në vend:
së pari, sistemin e pagesave të shpejta (instant payment), i cili do të mundësojë shlyerjen e pagesave elektronike në kohë reale, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë gjithë vitit;
së dyti, projektin e njohur si TIPS Clone, i cili synon të implementojë në praktikë sistemin e pagesave TIPS të Bankës Qendrore Evropiane, të përshtatur për specifikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor;
së treti, fillimi i vitit 2025 shënoi realizimin e transaksioneve të para në kuadrin e sistemit open banking ndërmjet bankave dhe palëve të treta. Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar më tej në këtë drejtim, duke krijuar një mjedis të favorshëm për inovacion, konkurrencë dhe përfshirje financiare;
së fundi, gjatë vitit 2025, ne kemi marrë masa rregullatore për reduktimin e ndjeshëm të tarifave dhe komisioneve të aplikuara për pagesat bankare, duke nxitur më tej përdorimin e tyre dhe duke i shërbyer rritjes së formalizimit të ekonomisë.
Këto projekte do të përkthehen në shërbime më të shpejta, më të lira dhe më të sigurta për qytetarët dhe bizneset shqiptare, duke ndihmuar kështu digjitalizimin e ekonomisë, reduktimin e informalitetit dhe thellimin e integrimit financiar rajonal dhe evropian.
Një pjesë e rëndësishme e punës sonë gjatë vitit 2024, është përqendruar në mbështetjen aktive të procesit të integrimit evropian. Si kryesuese e dy Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian për 2 kapituj të Acquis dhe si kontribuuese e qenësishme në 6 kapituj të tjerë, Banka e Shqipërisë ka qenë palë aktive në përgatitjen e pozicioneve negociuese dhe në hartimin e dokumenteve strategjike që mbështesin përafrimin e legjislacionit dhe politikave kombëtare me Acquis të Bashkimit Evropian.
Në përmbushje të vizionit tonë për të qenë një bankë qendrore e pavarur, transparente dhe llogaridhënëse, gjatë vitit 2024, kemi forcuar më tej komunikimin me publikun dhe institucionet shqiptare. Përmes një kombinimi të kanaleve tradicionale dhe digjitale, kemi rritur kuptueshmërinë e politikave tona dhe kemi nxitur një debat publik më të informuar mbi çështje ekonomike dhe financiare.
Për të nxitur përfshirjen financiare, gjatë vitit 2024, kemi ndërmarrë një hap të rëndësishëm nëpërmjet miratimit të Strategjinë së Bankës së Shqipërisë për nxitjen e Edukimit dhe Përfshirjes Financiare. Ky dokument – i pari i këtij lloji – synon fuqizimin financiar të qytetarëve, me fokus të veçantë te grupet vulnerabël të shoqërisë.
Gjithashtu, pa u ndalur gjatë, dëshiroj të theksoj se gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrat dhe angazhimet e saj institucionale në fushën e statistikave financiare, kërkimit shkencor dhe administrimit të rezervës valutore. Po ashtu, kemi ndërmarrë përmirësime të rëndësishme në fushën e qeverisjes institucionale, zhvillimit të burimeve njerëzore dhe forcimit të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit. Në veçanti, vëmendje i është kushtuar sigurisë kibernetike, përmes ndërmarrjes së masave teknike dhe procedurale, të harmonizuara me standardet më të mira ndërkombëtare. Këto masa synojnë të garantojnë qëndrueshmërinë operacionale të Bankës dhe funksionimin e sigurt të sistemit financiar.
Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, perspektiva e zhvillimeve ekonomike të vendit mbetet pozitive. Skenari ynë bazë i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, në horizontin afatmesëm. Rritja e qëndrueshme ekonomike do të krijojë premisa për rritje të punësimit, të pagave e të mirëqenies. Nga ana tjetër, ecuria më e balancuar e kërkesës dhe ofertës në tregjet e produkteve, të punës e të kapitalit, pritet të shoqërohet me një inflacion të ulët, si dhe me një konsolidim të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë.
Megjithatë, rreziqet mbi të ardhmen nuk mungojnë. Në horizontin afatshkurtër, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet tregtare mund të kenë pasoja potencialisht negative mbi rritjen ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend. Këto rreziqe duhen monitoruar në vazhdimësi, për t’i paraprirë – në rast materializimi të tyre – një përgjigje sa më të koordinuar dhe efektive të politikave makroekonomike.
Gjithashtu, ekonomia shqiptare vijon të përballet me sfida afatgjata, të cilat duhen adresuar me reforma të mëtejshme strukturore, për të mundësuar një rritje sa më të shpejtë e të qëndrueshme të vendit. Ndër këto sfida dëshiroj të evidentoj:
Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm gjatë dy dekadave të fundit. Ky progres e ka shndërruar atë në një vend me një nivel mesatar të ardhurash për frymë. Megjithatë, eksperienca botërore tregon se konkurrenca midis vendeve me nivel mesatar të ardhurash është më e fortë dhe se zhvillimi i mëtejshëm i vendit duhet të bazohet gjithnjë e më shumë te rritja e produktivitetit;
trendet e pafavorshme demografike nënkuptojnë plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës, në afatin e gjatë. Këto trende, të pranishme në të gjitha ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, tentojnë të frenojnë rritjen e produktivitetit dhe cenojnë qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve;
ekonomia shqiptare vijon të ketë një zhvillim të diferencuar të ekonomisë, në aspektin sektorial. Zhvendosja e resurseve njerëzore e financiare midis sektorëve ka ndihmuar rritjen ekonomike dhe ka sjellë një rritje të nivelit të përgjithshëm të produktivitetit në ekonomi. Megjithatë, gjetja e një ekuilibri të drejtë midis diversifikimit dhe specializimit të strukturës sonë ekonomike, mbetet një detyrë parësore, e cila duhet të mbahet në vëmendje si nga sektori publik dhe nga ai privat.
Në vizionin tonë, reformat strukturore të nevojshme për të adresuar sfidat e mësipërme duhet të synojnë: (i) rritjen e produktivitetit, nëpërmjet investimeve të mëtejshme në arsim e shëndetësi, dhe përmirësimin e klimës së biznesit; (ii) ruajtjen e fokusit në zgjerimin e përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës publike; (iii) promovimin e konkurrencës, ndër të tjera nëpërmjet reduktimit të mëtejshëm të informalitetit; (iv) nxitjen e investimeve të huaja direkte në sektorë strategjikë, si industria dhe energjetika; si dhe, (v) ruajtjen e fokusit në stabilitetin makroekonomik.
Në këtë kontekst, dëshiroj të nënvizoj se procesi i integrimit evropian ofron një udhërrëfyes të pazëvendësueshëm për agjendën e reformave strukturore, ndërsa perspektiva e integrimit në Bashkimin Evropian ofron një mundësi historike për nxitjen e investimeve të huaja direkte.
Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë me përkushtim për përmbushjen e misionit të saj themelor: ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit. Ky është dhe kontributi më i çmuar që një bankë qendrore mund të japë në mbështetje të një rritjeje ekonomike sa më të shpejtë, të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse, në funksion të rritjes së mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë.
BalkanWeb