“Shqipëria nuk po tërheq investime të huaja produktive”, Tomorri: Mungon klima e përshtatshme ekonomike

Klodian Tomorri, drejtues Kapitali.al, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka folur gjerësisht për situatën e investimeve të huaja në Shqipëri, duke theksuar se vendi nuk po tërheq llojin e investimeve që i duhen vërtet ekonomisë shqiptare.

Në qëndrimin e tij, Tomorri theksoi rëndësinë kritike të investimeve të huaja për vende si Shqipëria: “Nuk jam dakord që nuk na duhen investimet e huaja. Investimet e huaja janë kritike në vende si Shqipëria. Ato krijojnë modelet e biznesit.”

Megjithatë, ai vuri në dukje se investimet aktuale janë të përqendruara kryesisht në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe blerjen e pronave, jo në sektorë me vlerë të lartë si teknologjia, prodhimi apo ekonomia e dijes.

“Përgjithësisht investimet e huaja në Shqipëri kanë qenë shfrytëzimi i burimeve natyrore të vendit dhe tashmë janë orientuar në blerjen e pronave. Këto investime nuk ndihmojnë ekonominë të ketë produktivitet.”

Tomorri theksoi gjithashtu mungesën e investimeve të huaja në sektorë strategjikë si teknologjia e informacionit (IT), ekonomia e dijes dhe prodhimi për eksport, që do të ndihmonin në rritjen e produktivitetit dhe modernizimin e ekonomisë shqiptare.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si qeveria menaxhon projektet e partneritetit publik-privat (PPP), duke i konsideruar si mekanizma që kufizojnë konkurrencën: “PPP-të janë frenues sepse në vetvete ato janë vetëm një mbyllje gare ku qeveria ndan kush merr një licencë apo të drejtë ekskluzive.”

Sipas tij, arsyeja pse Shqipëria nuk arrin të tërheqë investime strategjike lidhet me një sërë faktorësh: paqartësia fiskale, problematikat me pronat, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe klima e pasigurt politike.

“Nuk kemi krijuar klimën e përshtatshme që kompanitë e huaja të transferojnë punën e tyre këtu. Nuk është se vjen investimi i huaj nga takimet burokratike,” u shpreh ai.

Tomorri nënvizoi gjithashtu mungesën e interesit për ndërtimin e strukturave moderne si servera të të dhënave apo fabrika për eksport, që janë trende globale të zhvillimit ekonomik.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×