Dumani raporton në Komisionin e Ligjeve: Nuk njoh ndonjë çështje “Aruba”, s’kam çfarë të ndaj

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ishte sot në Komisionin e Ligjeve për të paraqitur raportin vjetor të institucionit për vitin 2024. Gjatë seancës, ai iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve, përfshirë ato të ngritura nga deputetja demokrate Elda Hoti, lidhur me fondet e OLAF dhe një çështje të përmendur si “Aruba”.

Në lidhje me fondet e OLAF, Dumani sqaroi se hetimet janë ende në proces dhe nuk mund të japë më shumë detaje në këtë fazë. Ai theksoi se bashkëpunimi me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është i ngushtë dhe i vazhdueshëm.

“Drejtoreshën e OLAF e kisha në zyrën time. Është bërë publike si takim. Kemi shkëmbyer informacione të shumta dhe bashkëpunimi vazhdon për çështje që lidhen me mbrojtjen e fondeve të BE-së, të cilat dyshohet se janë keqpërdorur nga administrata shqiptare,” u shpreh Dumani.

Në lidhje me çështjen “Aruba”, për të cilën deputetja Hoti kërkoi informacion mbi dyshimet për pastrim parash dhe nëse është ngritur një grup ndërinstitucional për ndjekjen e flukseve financiare, Dumani tha prerazi:

“Nuk njoh ndonjë çështje ‘Aruba’. Nuk kam asgjë për të ndarë me Kuvendin apo me opinionin publik për këtë temë.”

Sakaq, Dumani theksoi se SPAK është i angazhuar në hetimin e çështjeve që lidhen me fondet e BE-së, por në përputhje me ligjin dhe ruajtjen e konfidencialitetit të hetimeve, nuk mund të bëhen publike detaje nga çështje ende aktive.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×