Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reagur për projektin e kullës 35 katëshe “Rozafa Tower” në Shkodër.
Sipas KMSH, vendi ku po bëhet kjo ndërtesë është në pronësi të një vakëfi dhe i përket këtij komuniteti.
“Reagim mbi pronën vakëf në Shkodër dhe ndërtimin e paligjshëm mbi të
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për faktin se, pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatave shqiptare, mbi një pronë vakëf në qytetin e Shkodrës ka nisur ndërtimi i kullës “Rozafa Tower”.
Ky veprim përbën një shkelje të hapur të ligjit, një cenim të të drejtës së pronësisë dhe një akt mosrespektimi ndaj institucioneve fetare dhe trashëgimisë vakëf.
Prej më shumë se tre dekadash, kjo pronë ka qenë objekt i një kalvari të gjatë gjyqësor dhe administrativ. Në vitin 1996, me vendimin nr. 1586 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Shkodër, prona është njohur në favor të KMSH, me të drejtë parablerjeje të objektit të ndërtuar mbi pronën vakëf.
Në vijim, Gjykata Kushtetuese në vitin 1999 dhe Gjykata e Lartë me vendimin nr. 00.2014.3003(316), datë 24.04.2014, konfirmuan përfundimisht të drejtën e pronësisë mbi këtë truall në favor të pronarëve legjitimë: Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Orthodhokse dhe familjes Laçej.
Megjithatë, pavarësisht këtyre vendimeve, institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Zyrën e Përmbarimit Shkodër dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Dega Shkodër, nuk kanë zbatuar detyrimet e tyre ligjore, duke lejuar ndërhyrje të paligjshme mbi pronën dhe duke i hapur rrugën ndërtimit në kundërshtim me çdo akt gjyqësor.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se moszbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe vepër penale, që minon parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet.
Në këtë situatë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve shtetërore për zbatimin e plotë të vendimeve gjyqësore që njohin pronësinë e ligjshme, ndërprerjen e çdo veprimi ndërtimor mbi pronën vakëf dhe hetimin e përgjegjësive të zyrtarëve që kanë shpërdoruar detyrën.
Sigurojmë të gjithë besimtarët se Komuniteti Mysliman mbetet i vendosur të vijojë me të gjitha mjetet ligjore mbrojtjen e pronës vakëf.
Nëse kjo e drejtë vijon të cenohet, KMSH do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për të kërkuar zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe dëmshpërblimin për shkeljet e përsëritura.”, thuhet në deklaratë.
BalkanWeb