Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zyrtarizon kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Në kërkesë evidentohet se sic ishte parashikuar nga katër rezolutat ndërkombëtare të miratuar nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), procesi zgjedhor u provua të ishte një farsë elektorale në vend të një shprehje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve. Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjërësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve në datën 12 maj 2025.
Sipas Grupit Parlamentar të PD në këto dokumente ndërkombëtare, del qartë se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u kompromentuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të: i) shitblerjes së votës; ii) intimidimit të zgjedhësve; iii) shtetit elektoral; iv) sistemit kriminal të patronazhimit; v) manipulimit të votës së Diasporës; dhe vi) finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.
Në kërkesë evidentohet gjithashtu, se me qëllim marrjen e mandatit të katërt qeverisës dhe pamundësimin e rotacionit me çdo kusht, qeveria u angazhua në një abuzim sistematik të pushtetit dhe burimeve shtetërore për të manipuluar procesin zgjedhor, konkretisht në këto drejtime: 1) Keqpërdorimi i eventeve publike; 2) Kapja e institucioneve shtetërore; 3) Riaktivizimi i sistemit të patronazhimit; 4) Blerja e drejtpërdrejtë e votave:; 5) Manipulimi zgjedhor përmes subvencioneve për fermerët; 6) Anullimi masiv i gjobave: 7) Miratimi i 138 licencave për kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin; 8) Prokurime të paligjshme; 9) Abuzimi me lejet e legalizimit dhe të ndërtimit; 10) Punësime të paligjshme; 11) Përfshirja e grupeve kriminale në fushatë; 12) Kontrolli i Medias; 13) Rrjeti i “Patronazhistëve” në Ditën e Zgjedhjeve;14) Zyrat zgjedhore të paligjshme të Partisë Socialiste; 15) Blerja e Votave dhe Manipulimi Zgjedhor; 16) Konfiskimi i Kartave të Identitetit – Blerja e të Drejtës së Votës; 17) Keqpërdorimi i të Dhënave Personale; 18) Përdorimi i gjerë i badge të falsifikuara të stafit dhe vëzhguesve; 19) Shkelja e Fshehtësisë së Votës; 20) Manipulimi i Fshehtë i Fletëve të Votimit (“Treni Bullgar”); 21) Zhdukja e 350 Kutive të Votimit dhe Shfaqja e Fletëvotimeve të Dyshimta; 22) Manipulimi i Votës së Diasporës dhe Parregullsitë e Ditës së Zgjedhjeve; 23) Mosfunksionimi i Sistemeve të Identifikimit Biometrik (PEI); dhe 24) Bashkëpunimi Institucional dhe Rrëzimi e Ankesave.
Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.
Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Bashkëlidhur kërkesa e plotë e dorëzuar zyrtarisht nga deputetët e opozitës. Sipas Kushtetutës, kur Komisioni Hetimor kërkohet të ngrihet nga të paktën 35 deputetë, Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit.
BalkanWeb