Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur nga deputeti i PL, Tedi Blushi nëse ishte takuar me Charles McGonigal, ish-agjentin e FBI-së, të dyshuar për afera të paligjshme që përfshijnë edhe Shqipërinë.
Dumani pyeti se si ishte e mundur që të bëhet kjo pyetje pa pasur një indicie apo të dhënë, ndërsa ngriti tonet duke deklaruar se opinioni publik ishte mbushur “pa pikë përgjegjësie” sikur kreu i Prokurorisë së Posaçme ishte takuar me McGonigal.
Ai theksoi se ka mësuar për figurën e McGonigal për herë të parë në vitin 2023, atëherë kur u publikuan të dhëna mbi një aferë të mundshme të tij.
“Ishte e bukur kjo, a jam takuar me Charles McGonigal. Se si mund të bësh një pyetje të tillë, nuk e di. Që të bësh një puetje t ëtillë duhet një indicie, një e dhënë. Ku është një indicie, një e dhënë?! Ore unë jam Altin Dumani, përfaqësoj prokurorinë e posacme. Opinionin publik e mbushët, ka takuar McGonigal, pa asnjë përgjegjësi, pa pikë përgjegjësie! Edhe emrin dhe figurën për herë të parë në janar 2023 u publikuan të dhëna apo fakte për një aferë të mundshme të McGonigal”, u shpreh Dumani.
BalkanWeb