“S’na kërkon dot përgjegjësi për grupet kriminale, SPAK ka kryer detyrën”, Dumani-Balliut: Prokurorët kanë rënë pre e kërcënimeve serioze!

Kreu i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj sot pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Ligjeve, ku u ndal veçanërisht në diskutimin me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Mes çështjeve të ngritura, Balliu kërkoi informacion mbi procedimin penal për projektin “Eco Park” dhe rolin e SPAK në ndjekjen e grupeve kriminale.

Dumani konfirmoi se ekziston një procedim penal për “Eco Park”, por sqaroi se, për shkak të fazës ku ndodhet çështja, nuk i lejohet të ndajë më shumë informacion.

“Kemi një procedim penal për ‘Eco Park’ që është në këtë fazë, por më ndalon ligji të ndaj më shumë informacion me ju,” deklaroi kreu i SPAK.

I pyetur mbi përgjegjësinë për grupet kriminale dhe efektivitetin e ndjekjes së tyre, Dumani theksoi se SPAK ka vepruar në përputhje me detyrimet ligjore, duke ndjekur penalisht çdo grup kriminal për të cilin ka pasur prova.

“Vetëm SPAK nuk i kërkon dot përgjegjësi për grupet kriminale, sepse kemi ushtruar ndjekje për çdo grup. Ne kemi bërë detyrën tonë: të ushtrojmë ndjekjen penale, të ngremë akuza kur ka, dhe të kërkojmë masa sigurie në gjykatë,” u shpreh Dumani.

Ai bëri të ditur se prokurorët e SPAK janë përballur me kërcënime serioze nga organizatat kriminale, por nuk janë tërhequr nga detyra.

“Prokurorët kanë rënë pre e kërcënimeve serioze, jo sa për t’u thënë, por i kanë përballuar me sukses, duke ndërtuar ndjekje penale të forta dhe të suksesshme,” theksoi Dumani.

Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2024, janë goditur 16 grupe kriminale dhe trendi i goditjes së krimit të organizuar është pozitiv.

“Duhet bërë më shumë, por kaq janë mundësitë,” përfundoi kreu i SPAK.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×