Një mungesë e sigurt për Vllazninë në ndeshjen ndaj Bylis në kuadër të javës së 7-të të Superiores është Elmando Gjini. Mbrojtësi shtatlartë nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Martini, kjo për shkak se 23- vjeçari ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Dhe kësisoj do mungojë në duelin e radhës ndaj mallakastriotëve, ku patjetër për kuqeblutë kjo është një mungesë shumë e rëndësishme pasi në lojë nuk do të jetë ai që mund të konsiderohet si lideri i prapavijës shkodrane. Në këtë mënyrë gjatë këtyre ditëve duhet gjendur edhe zëvendësuesi i ish-mbrojtësit të Teutës. Ku momentalisht më i favorizuari për të marrë “vendin” e Gjinit është Ardit Krymi.
Me mesfushorin që do “transferohet” në qendër të mbrojtjes, një pozicion të cilin e ka mbuluar më së miri edhe herë të tjera në të shkuarën. E ndërsa në mesfushë pritet që vendin dhe pozicionin e Krymit ta mbulojë Kristian Dros. Por, te Vllaznia ka edhe alternativa të tjera përsa i përket zëvendësimit të Gjinit. Fjala është për mbrojtësit Aleksandër Kuros dhe Jasmin Çelikoviç.
Pavarësisht se për të parin duhet shikuar në detaje për gjendjen e tij fizike, e cila nuk garanton ende. E ndërsa për boshnjakun e ardhur para 2 javësh në Shkodër, duket se periudha e përshtatjes ka kaluar. Dhe ai mund të ketë minutat e tij të para me fanellë kuqeblu në ndeshjen ndaj Bylis. Megjithatë formacioni i shkodranëve do “kristalizohet” gjatë këtyre ditëve për duelin e javës së 7-të që do të luhet të shtunën në orën 14:00.
BalkanWeb