Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Tiranë, njoftoi sot ndalimin e Inspektorit K.K., punonjës në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndalimi erdhi pas transmetimit në një emision investigativ, ku u shfaqën pamje audiovizive të një shtetasi të paidentifikuar, i cili i ofronte K.K. shumën prej 10,000 lekësh për të kaluar lehtësisht nëpër aeroport. Në datën 7 tetor 2025, ky shtetas paraqiti dokumentacionin e udhëtimit pranë punonjësit E.L., i cili ishte përgjegjës për regjistrimin e udhëtimit.
Ndaj punonjësit tjetër të policisë në Rinas, Inspektorit E.L., po kryhen hetime në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Materialet hetimore janë referuar tashmë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë Inspektor K. K., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Duke marrë shkas nga trajtimi i rastit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku janë transmetuar pamjet audiovizive të një shtetasi (i paidentifikuar), i cili takon punonjësin K.K., me kërkesën për të udhëtuar pa probleme nëpërmjet aeroporit, duke i ofruar shumën 10.000 lekë të reja. Në datën 07.10.2025 shtetasi është paraqitur për të udhëtuar dhe ka dorëzuar dokumentacionin e udhëtimit tek punonjësi E. L., i cili kryen veprimet e rregjistrimit të udhëtimmit.
Ndaj punonjësit të policisë Inspektor E. L., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, janë referuar materialet hetimore në gjendje të lirë si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
BalkanWeb