Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, Partia Demokratike ka kërkuar heqjen nga programi i punës së Kuvendit të projektligjit për Barazinë Gjinore, duke e konsideruar atë një nismë me ndjeshmëri të lartë publike dhe sociale.
Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, deklaroi se ligji në fjalë prek drejtpërdrejt vlerat tradicionale të familjes shqiptare dhe se miratimi i tij në formën aktuale do të ishte i nxituar dhe i njëanshëm.
“Ky ligj duhet të hiqet nga programi i punës së Kuvendit, pasi është një ligj me ndjeshmëri të lartë publike dhe që, në thelb, cenon familjen. Duhet t’i japim kohë debatit,” u shpreh Boçi.
Ai theksoi se ka një interes të madh nga grupe të ndryshme interesi, përfshirë organizata të shoqërisë civile dhe komunitetet fetare, të cilat sipas tij janë kundër përmbajtjes aktuale të ligjit dhe kërkojnë të përfshihen në konsultime publike më të gjera.
BalkanWeb