Sekuestrimi i motomjeteve/ Sot protestë para Komisariatit të Policisë Rrugore: Paligjshmëria e autoriteteve u kushton qytetarëve

Organizata Drejtësi Sociale ka njoftuar një protestë përpara Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, duke akuzuar Policinë e Shtetit për veprime të paligjshme në lidhje me konfiskimin dhe moskthimin e motomjeteve.

Sipas postimit të bërë nga organizata në rrjetet sociale, protesta do të mbahet ditën e sotme, më 15 tetor, ora 10:00, përballë komisariatit të ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”. Protesta vjen si reagim ndaj, siç e cilëson organizata, “paligjshmërisë totale” të Policisë së Shtetit, që ka sekuestruar motomjete të qytetarëve për shkak të mungesës së dokumentacionit të pronësisë.

Organizata thekson se policia ka refuzuar të kthejë mjetet, duke pretenduar se janë në pritje të një urdhri nga ministrja e Brendshme, znj. Koçiu, një veprim që Drejtësia Sociale e konsideron “tërësisht i paligjshëm dhe arbitrar”.

“Policia e Shtetit u shpreh se nuk i liron dot pa marrë një urdhër nga ministrja e Brendshme, duke i mbajtur këto mjete private në paligjshmëri totale,” – thuhet në njoftimin e organizatës.

Sipas Drejtësisë Sociale, kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt jetën e përditshme të shumë qytetarëve të Tiranës, që kanë humbur vendet e punës apo po përballen me vështirësi serioze për të përmbushur angazhimet e tyre për shkak të mungesës së mjetit të transportit.

“Kjo propagandohet si çështje sigurie, por në fakt është dëshmi e dështimit të shtetit për të ofruar një sistem të sigurt dhe funksional të transportit publik,” thuhet më tej në deklaratë.

Organizata ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që janë prekur nga kjo situatë të marrin pjesë në protestë dhe të kërkojnë kthimin e motomjeteve të tyre, si dhe mbajtjen përgjegjëse të institucioneve për çdo vendim të paligjshëm.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×