Si do të vepronte nëse do të ishte kryebashkiak? Lubonja: Tirana po shkatërrohet nga ndërtimet pa plan, duhen rregulla dhe urbanistikë e re

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka ndarë vizionin e tij për të ardhmen e Tiranës, nëse do të kandidonte ndonjëherë për kryetar bashkie. Ai ngriti akuza të forta ndaj mënyrës si po zhvillohet qyteti dhe denoncoi atë që e quajti një “masakër urbane”.

Sipas Lubonjës, në Tiranë ka një prishje të thellë të ekuilibrit mes ndërtimit dhe gjelbërimit, duke theksuar se nuk bëhet më fjalë për zhvillim të zakonshëm, por për kapje të tregut nga interesa klienteliste.

“Këtu raporti ndërtim-gjelbërim është masakrues. Nuk është më çështje kërkese dhe oferte normale, por kemi të bëjmë me manipulim të tregut dhe kapje të tij,” tha Lubonja.

Ai theksoi se një nga masat e para që do të merrte nëse do të kishte mundësinë për të drejtuar Tiranën, do të ishte rikthimi i pushtetit të ligjit përmes një plani urbanistik të mirëfilltë, të ndërtuar nga ekspertë të pavarur dhe të ndershëm.

“Do të ktheja pushtetin e ligjit me një plan urbanistik. Ky ishte premtimi i parë i Edi Ramës, që e quante kushtetutën e qytetit. Qendra historike duhet të ruhet, ndërsa ndërtimet e larta të zhvendosen përtej bulevardit,” u shpreh ai.

Lubonja kritikoi ashpër mënyrën si është katandisur çdo njësi urbane në Tiranë, duke u kthyer, sipas tij, në një “shesh ndërtimi”, pa asnjë kujdes për infrastrukturën publike si lulishte, kopshte apo shkolla.

“Ata kurrë nuk e bënë një plan të mirëfilltë urbanistik, sepse ai do të frenonte korrupsionin. Sot, Edi Rama vendos ku do të shembet një ndërtesë dhe ku do të ngrihet një gradaçelë,” shtoi Lubonja.

Ai e përshkroi situatën aktuale si “jashtë çdo norme njerëzore” dhe bëri thirrje për një ndërgjegjësim politik gjithëpërfshirës për të ndalur këtë model dhe për të rindërtuar qytetin mbi baza të reja ligjore dhe profesionale.

“Këtu duhet një ndërgjegjësim i gjithë klasës politike për ta frenuar këtë dhe për të bërë diçka nga e para,” përfundoi analisti.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×