Kreu i Grupit Parlamentar të PL, Tedi Blushi ngriti sot në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit një kërkesë për tërheqjen nga kalendari të projektligjit për Barazinë Gjinore, duke e cilësuar atë si pjesë të “axhendave sorosiane” që synojnë shkatërrimin e vlerave tradicionale të familjes shqiptare.
Në një debat të ashpër me Ministrin Toni Gogu, Blushi e sfidoi urgjencën e miratimit të këtij ligji, duke pyetur: “Kush është urgjenca për këtë projektligj?” Ai theksoi se për familjen shqiptare ekzistojnë vetëm dy gjini, “burrë dhe grua”, dhe se termat “nënë dhe baba” nuk duhet të preken apo zëvendësohen me “marrëzira të gjinive të tjera”.
“Ky ligj godet në ADN-në e vlerave tona familjare dhe kombëtare,” tha Blushi, duke i bërë thirrje deputetëve të dëgjojnë komunitetet fetare, të cilat, sipas tij, janë në unison kundër këtij drafti.
Blushi sfidoi gjithashtu pretendimet e mbështetësve të ligjit për konsultime me grupe interesi dhe eurodeputetë, duke pyetur me ironi: “Me cilët eurodeputetë? Me ata që promovojnë axhendat e Soros?” Ai kujtoi se Sllovakia, një anëtare e Bashkimit Europian, ka miratuar në Kushtetutë se ekzistojnë vetëm dy gjini, “burrë dhe grua”, duke sfiduar kështu argumentet pro ligjit.
“Para se të jemi europianë, jemi shqiptarë,” përfundoi Blushi, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të “axhendave antikombëtare dhe antifamiljare”.
BalkanWeb