Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar me tone të forta në një deklaratë për shtyp, duke denoncuar atë që e cilëson si një përpjekje të mazhorancës për të marrë peng Kuvendin dhe për të asgjësuar çdo formë debati demokratik.
“Ajo që po ndodh me Parlamentin e Shqipërisë është e paprecedentë dhe thellësisht shqetësuese,” deklaron Gjekmarkaj, duke akuzuar Partinë Socialiste se po e trajton institucionin më të lartë përfaqësues si “pronë private në shërbim të interesave të saj të ngushta partiake”.
Sipas tij, qëndrimi i mazhorancës ka për qëllim të heshtë opozitën, të pengojë interpelancat dhe të shmangë çdo kontroll demokratik, veçanërisht ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë që pritet të raportojnë në Kuvend për çështje të ndjeshme, përfshirë edhe afera korruptive.
Gjekmarkaj e konsideron ndërprerjen e debatit dhe bllokimin e pyetjeve si një “akt të rëndë kundër demokracisë” dhe “një dënim me vdekje për vetë parlamentarizmin”.
Në deklaratën e tij, ai i bën thirrje Niko Peleshit, që kryesoi seancën plenare, të ngrihet “në lartësinë e postit që mban” dhe të sillet si përfaqësues i të gjithë qytetarëve, jo si “ushtar i bindur i një partie”.
“Zoti Peleshi, është koha të silleni si Kryetar i Parlamentit të gjithë shqiptarëve, jo si ushtar i bindur i një partie. Ushtrinë e keni kryer me kohë. Tani keni detyrimin të mbroni demokracinë,” përfundon deklaratën Gjekmarkaj.
Deklarata e Gjekmarkajt:
Ajo që po ndodh me Parlamentin e Shqipërisë është e paprecedentë dhe thellësisht shqetësuese! Kuvendi është marrë peng në mënyrë të qëllimshme, me synimin e qartë për të heshtur opozitën dhe për të shmangur çdo debat të vërtetë politik. Mazhoranca po sillet me këtë institucion sikur të ishte një pronë private në shërbim të interesave të saj të ngushta partiake. Ata nuk duan debat, nuk duan interpelancë, nuk duan transparencë – e gjithë sjellja e tyre synon të fshijë çdo zë kritik dhe të asgjësojë çdo kontroll demokratik.
Ngjarjet e sotme nuk ishin spontane – ato u provokuan në mënyrë të qëllimshme nga mazhoranca, vetëm për të vendosur një precedent të rrezikshëm: të ndalohen pyetjet e opozitës ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, të cilët pritet të raportojnë në Kuvend për çështje të rëndësishme, përfshirë aferat korruptive.
I bëj thirrje z. Niko Peleshi që të ngrihet në lartësinë e postit që mban. Parlamenti i Shqipërisë nuk është i Partisë Socialiste – ai është i qytetarëve shqiptarë. Është hapësira ku bashkëjetojnë mendimet ndryshe, ku zhvillohet debati demokratik, ku përfaqësohen të gjithë ata që kanë votuar, qoftë për mazhorancën apo opozitën.
Fikja me dhunë e debatit, asgjësimi i të drejtës për të bërë pyetje, është një akt i rëndë kundër demokracisë – është dënim me vdekje i vetë parlamentarizmit. Çdo deputet që ka ndërgjegje qytetare dhe përgjegjësi kombëtare duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të mbrojë këtë institucion nga degradimi.
Zoti Peleshi, është koha të silleni si Kryetar i Parlamentit të gjithë shqiptarëve – jo si ushtar i bindur i një partie. Ushtrinë e keni kryer me kohë. Tani keni detyrimin të mbroni demokracinë.
BalkanWeb