Emisioni investigativ Vetting, News24
Gjykatat dhe Bashkia nxorën në rrugë familjen vlonjate
Prej disa vitesh, qyteti i Vlorës është bërë epiqendra e betonit dhe përplasjeve midis familjeve vendase dhe një grupi biznesmenësh, që kanë ndikim te njerëz të korruptuar nëpër gjykata, prokurori, polici dhe bashki. Pasojat e këtyre përplasjeve shpeshherë kanë nxjerrë në rrugë familje, të cilat edhe pse ishin pronare të ndërtesës, janë mashtruar nga biznesmenët dhe janë nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre prej personave të punësuar në Bashkinë e Vlorës.
Një nga këto raste lidhet me familjen Musaj, e cila prej 12 vitesh është e pastrehë, kur në fakt zotëronte një shtëpi në lagjen “Pavarësia” Vlorë. Zanafilla e kësaj historie e ka origjinën në vitin e largët 1939, që zotëronin truall në zonën e sotme të lagjes “Pavarësia” në Vlorë, do të lidhnin një kontratë huaje me njëra-tjetrën për trojet.
Me ardhjen e komunizmit, këto prona do të shtetëzoheshin dhe do të ngrinte procesi i shlyerjes së huasë, ndërsa pas rënies së regjimit komunist do të rifillonte procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave. Por historia e përplasjes së pronësisë do të thellohej më tej me ndryshimin e sistemit politik, kur konflikti mes pasardhësve të këtyre familjeve do të përfshinte institucionet shtetërore si gjykatat, prokurorinë, bashkinë dhe agjencitë e pronave.
Nga kjo përplasje, viktima më e goditur do të ishte familja Musaj, e cila kishte ndërtuar një banesë me leje në vitin 1986, me sipërfaqe 82.8 m², por që përfundimisht do të mbetej në rrugë. Sipas Mjaftime Musaj, në gjykatat shqiptare është e vështirë të fitohen gjyqe nga njerëz si puna jonë.
“Në rastin tonë ndërhyrjet janë shumë të mëdhaja nga këta që kanë nisur punën dhe detyrimisht ata do t’a çojnë deri në fund punën e tyre. Dhe kështu vazhdoi, ata i çuan deri në fund gjyqet dhe gjyqin që fitova në shkallë të parë duke prishur vendimin e bashkisë për prishjen e objektit banesë që ishte gjyqtar Laurent Fuçia, ai më dha dhe vendim ekzekutimi për vendimin që i kishte dhënë Bashkia, për prishje”, tha për “Vetting” Mjaftime Musaj.
Në vitin 1986, me leje të shtetit shqiptar, familja Musaj do të ndërtonte shtëpinë e saj, të cilën pas vitit 1990 do ta zgjeronte me një dyqan pa leje.
Në vitin 2005, do të nisnin procedurat për legalizimin e kësaj ndërtese, ndërsa në vitin 2009, një vendim i Këshillit të Ministrave do t’ua njihte të drejtën për legalizim, pavarësisht kundërshtimeve të ALUIZNI-t në Vlorë.
Por në fund të vitit 2012, vendimi i legalizimit do të ndryshohej.
Trualli ku ata kishin shtëpinë u përfshi në planin e zhvillimit për ndërtim pallatesh 5+1 kate, ç’ka i jepte të drejtë Inspektoriatit të Ndërtimit për prishjen e ndërtesës.
Ligjërisht, kjo prishje e ndërtimit duhej të pasohej nga sigurimi i strehimit, qira, dhe kompensim për investimet në legalizim, gjë e cila nuk ndodhi.
“Unë kërkoj zgjidhjen e çështjes time sepse është gjëja më jetike. Kemi punuar gjithë jetën duke i dhënë kontribute këtij shteti, i kemi paguar taksa që nga viti 1991 deri 2013 dhe kemi pasur një subjekt të licensuar. I kemi paguar detyrimet këtij shteti, sigurime dhe tatime për infrastrukturën, pastrimin. Detyrimisht ky shtet na detyrohet në lidhje me çështjen tonë, që të zbardhet dhe të marrim atë na takon, djersën tonë. Nuk i kërkojmë më shumë, as mëshirë nuk po kërkojmë”, shprehet Mjaftime Musaj, e cila nuk ka humbur në asnjë moment shpresën për të rimarrë shtëpinë e vet.
Task Forca zbuloi skandalin me pronat
Në gusht 2014, Qeveria Shqiptare do të krijonte një task forcë pranë Kryeministrisë për falsifikimet me dokumentet e pronave, të cilat ishin në pronësi të shtetit. Synimi ishte tu jepej zgjidhje mashtrimeve me dokumente që kishin ndodhur me territoret, të cilat kishin prekur kryesisht zonat bregdetare në jug të vendit.
Rezultatet e para të Task Forcës do të evidentonin rastin e komplikuar, pikërisht në qytetin e Vlorës, në truallin nën pronësi të shtetit ku ishte ndërtuar shtëpia e familjes Musaj.
Gjithçka lidhet me një vendim, që do të nxirrte në rrugë jo vetëm familjen Musaj, por edhe shumë familje të tjera në lagjen “Pavarësia” Vlorë. Ky do të ishte vendimi i marrë në vitin 2009 nga ish Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Elvis Çefa.
Shumë akuza dhe gjyqe do të hapeshin për këtë vendim, që është paditur nga shteti shqiptar si i falsifikuar, por në vend të dhënies së llogarisë, Çefa do të kthehej në njeriun më të fuqishëm në sistemin e drejtësisë, si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Dy vite më pas, në vitin 2012, Elvis Çefa do të zgjidhej nga Kuvendi i Shqipërisë nën drejtimin e Partisë Demokratike në pushtet mes kontestimeve të shumta nga opozita shqiptare Partia Socialiste, si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, asokohe organi më i lartë në drejtësinë shqiptare. Por në 2014, Çefa do të akuzohej se kishte bërë shkelje të rënda me detyrën dhe do të shkarkohej nga mazhoranca socialiste. Më vonë, Gjykata Kushtetuese do ta shpallte të pavlefshëm vendimin e Kuvendit, por Çefa nuk do të kthehej në detyrë dhe sot është anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjithashtu në vitin 2014, Prokuroria do të niste një hetim ndaj tij dhe një nga deputetët e Partisë Socialiste, Taulant Balla do të bënte akuza të rënda ndaj ish Drejtorit të Përgjithshëm Elvis Çefa.
Në mënyrë të mistershme, Komisioni Hetimor nuk do të merrte parasysh akuzat për falsifikim pronash gjatë kohës që Çefa kishte qenë drejtues te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Por në maj 2017, Këshilli i Ministrave me anë të Avokaturës së Shtetit do të ngrinte një padi në Gjykatën e Vlorës për të nxjerrë të pavlefshëm vendimin nr 4023/18, datë 25.06.2009 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke paditur Agjencinë e Trajtimit të Pronave, Robert Ilian dhe trashëgimtarët së bashku me ish Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Në padi, Avokatura e Shtetit pretendon se janë falsifikuar dokumentet dhe kjo tokë duhet ti rikthehet shtetit shqiptar. Një detaj i rëndësishëm është fakti se ditën që është shpallur vendimi për kthim dhe kompensim nga ish Drejtori i Përgjithshëm Elvis Çefa, në të njëjtën ditë ish Z.V.R.R.P-ja Vlorë, në kundërshtim me ligjin ka regjistruar pronën duke mos zbatuar afatin 30 ditor për ankimin nga palët e interesuara.
Duhet theksuar se vendimi nr. 4023/18, në disa dokumente është me nr. 4023/13 duke treguar indicie për falsifikim, gjë e cila është dënoncuar edhe nga banorët që u prekën nga projekti në lagjen “Pavarësia”.
Pikërisht ky do të ishte detaji që do të mbante peng strehën e familjes Musaj, të cilët do të qendronin në rrugë për shkak të një marrëveshjeje të pashkruar midis fragmenteve të korruptuara të Gjykatave, Prokurorisë dhe Bashkisë Vlorë.
BalkanWeb