Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas seancës së sotme plenare, duke akuzuar mazhorancën socialiste për pengimin e qëllimshëm të debatit parlamentar lidhur me krimin e organizuar dhe abuzimet me fondet europiane IPARD.
Në një deklaratë për mediat, Balliu tha se refuzimi nga Partia Socialiste për të pranuar mocionin me debat është një akt i qëllimshëm për të mbuluar përfshirjen e emrave të njohur brenda vetë PS-së në afera kriminale dhe skandale financiare.
“Arsyeja e vërtetë pse mazhoranca refuzoi debat për lidhjet me krimin dhe abuzimet me fondet e BE-së është e qartë: në të dyja rastet dalin emra të rëndësishëm të Partisë Socialiste,” u shpreh Balliu.
Ai theksoi se në dosjet e zbuluara nga platformat e komunikimit të krimit të organizuar Sky ECC dhe EncroChat, përmendet emri i ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe persona të tjerë të afërt me qeverinë.
Sipas tij, edhe çështja e fondeve IPARD, që vijnë nga Bashkimi Europian për zhvillimin rural, do të nxirrte në pah mënyrën skandaloze të shpërndarjes së këtyre fondeve, kryesisht në favor të familjarëve të zyrtarëve të lartë socialistë.
“Familja e Suel Çelës, të afërm të Frida Krifcës, por edhe familjarë të deputetëve të tjerë të PS-së kanë përfituar nga fondet IPARD,” deklaroi Balliu, duke e cilësuar refuzimin e debatit si një përpjekje të qartë për të mbrojtur lidhjet mes pushtetit dhe krimit të organizuar.
Deputeti demokrat paralajmëroi se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për transparencë dhe përgjegjësi, dhe se do të vijojë denoncimin e çdo afere që cenon interesat e qytetarëve dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimin Europian.
BalkanWeb