Barcelona përballet me një fillim sezoni shqetësues, jo vetëm në rezultate, por sidomos në aspektin fizik. Në tetë javët e para të kampionatit, plot 14 skuadra në La Liga kanë vrapuar më shumë se Barça, ndërsa lista e dëmtimeve muskulore është gjithnjë në rritje.
Pavarësisht se me ardhjen e trajnerit Hansi Flick u premtuan ndryshime rrënjësore në stafin mjekësor dhe përgatitor, rezultatet nuk po duken në fushë. Kreu i ri i përgatitjes fizike, Julio Tous, pati premtuar ulje të dëmtimeve me 50%, por sot, në tetor, yje si Lewandowski, Balde, Raphinha, Fermín, Dani Olmo dhe Lamine Yamal janë dëmtuar – disa prej tyre më shumë se një herë.
E përditshmja katalanase “Mundo Deportivo” ditën e sotme ka nxjerrë disa nga statistikat deri më tani të këtij sezonit të skuadrës blaugrana, të cilat flasin qartë: Barcelona aktualisht është nën mesataren e La Ligës në metra të përshkuar, sprintime dhe përpjekje fizike në distancë mesatare. Krejt ndryshe nga sezonet kur fitoi tituj me Xavin apo Flickun vetë – ku dominimi fizik ishte një nga çelësat e suksesit.


Pyetjet shtrohen: A ka funksionuar vërtet revolucioni fizik i premtuar? Dhe a po paguan Barça çmimin e një përgatitjeje të dobët në një sezon që kërkon intensitet maksimal?
Për tani, një gjë është e qartë: forma fizike dhe dëmtimet janë kthyer në pengesën më të madhe për ambiciet e Barcelonës këtë sezon. Kur jemi vetëm dy javë nga përballja e shumëpritur me Real Madrid në “El Classico:, dhimbjet e kokës për Hasni Flick janë më prezente se kurrë më parë.
BalkanWeb