Drejtuesja e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, Adelina Farrici, e ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka theksuar nevojën për një rishikim të reformës administrativo-territoriale të vitit 2015.
Sipas Farricit, ndonëse reforma e vitit 2015 solli një sërë përmirësimesh në funksionimin e pushtetit vendor, ajo nuk ka arritur të përmbushë plotësisht objektivat e saj, veçanërisht në aspektin e vetëqëndrueshmërisë ekonomike të bashkive.
“Ka shumë bashki në vend që janë të varura në mbi 70% nga transfertat qeveritare. Kjo është e papranueshme nëse synojmë një administrim të mirë dhe të pavarur lokal,” u shpreh Farrici.
Ajo theksoi se bashkitë nuk duhet të funksionojnë vetëm si institucione për menaxhimin e territorit dhe ofrimin e shërbimeve, por edhe si nxitës të zhvillimit ekonomik, krijimit të politikave vendore dhe fuqizimit të komuniteteve.
Farrici nënvizoi gjithashtu se ndarja aktuale territoriale nuk duhet të vlerësohet vetëm mbi bazën e numrit të popullsisë, por duhet të marrë parasysh përfaqësimin, standardizimin e shërbimeve dhe potencialin për gjenerimin e të ardhurave në nivel vendor.
“Duhet të kemi një standard shërbimesh që ofrohet në mënyrë uniforme në çdo cep të vendit,” tha ajo, duke shtuar se të dhënat e fundit nga censusi kombëtar e bëjnë edhe më urgjente rivlerësimin e hartës aktuale administrative.
BalkanWeb