Deputeti i PD në Lezhë, Gjin Gjoni, ka reaguar pas ngjarjes në Shëngjin ku një 36-vjeçar humbi jetën pasi ra nga lartësia e një pallati në ndërtim.
“Kjo është viktima e katërt brenda një viti nga aksidentet në punë në zonën e Shëngjinit. Ndërkohë, ndërtimet shumëkatëshe po ngrihen pa asnjë kriter teknik, shpesh pa leje, dhe me bekimin e institucioneve që duhet të jenë roje të ligjit, jo bashkëpunëtore të shkeljes së tij.
Kam paralajmëruar prej kohësh se kjo situatë po kthehet në rrezik serioz për jetën e punëtorëve dhe për sigurinë publike”, shkruan deputeti demokrat Gjin Gjoni.
Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetojnë me seriozitet këto raste dhe të vendosin përpara përgjegjësisë ata që, për interesa korruptive, po ndërtojnë mbi gjakun e njerëzve të ndershëm që punojnë për bukën e gojës.
“Dua të sjell në vëmendjen e organeve të rendit, prokurorisë dhe SPAK-ut se shumica e ndërtimeve janë po leje ose me leje të fallsifikuara të Këshillit të Qarkut megjithëse Këshilli i Qarkut ka rreth 12-13 vjet që e ka të ndaluar në bazë të ligjit të japë leje. Këtu kemi të bëjmë me grup të strukturuar penal dhe duhet hetuar dhe shkuar deri në fund pasi ka përfshirje të disa institucioneve shtetërore lokale dhe qëndrore.
Këto tragjedi nuk janë aksidente – janë pasoja të drejtpërdrejta të mosveprimit, babëzisë dhe korrupsionit institucional”, shkruan deputeti i PD, Gjin Gjoni.
BalkanWeb