Ish-deputeti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar deklaratat e Partisë Demokratike ndaj Presidentit Bajram Begaj lidhur me dekretin për datën e zgjedhjeve në Tiranë, duke e cilësuar si një kontradiktë.
Meçe theksoi se ishte vetë PD që kërkoi shkarkimin e Erion Veliajt përmes protestave para Bashkisë dhe një votimi unanim nga ana e partisë, dhe pyeti retorikisht se nëse PD kishte një mënyrë tjetër për ta bërë këtë, të tregonte se si do të realizohej procesi.
“Presidenti Begaj ndoqi rrugën që kërkoi PD,” tha Meçe, duke shtuar se tani, pasi Begaj ka ekzekutuar vullnetin e opozitës, PD po del me “paburrëri dhe pabesi” duke quajtur vendimin antikushtetues.
Ai sqaroi se çështja tani është në duart e Gjykatës Kushtetuese dhe për sa kohë është në shqyrtim gjyqësor, askush nuk mund të deklarojë paraprakisht që vendimi është antikushtetues.
Sipas Meçes, Presidenti ka argumentuar se Veliaj nuk është subjekt i Gjykatës Kushtetuese, por i Gjykatës Administrative, dhe pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, askush nuk guxoi të kundërshtojë.
“Nuk mund të përzihet një çështje serioze me shkelje të rënda kushtetuese me një çështje që ka të bëjë me punë civile,” përfundoi ish-deputeti, duke e cilësuar si “absurd” debatin që po zhvillohet në publik nga ana e PD-së.
BalkanWeb