Von der Layen viziton Ballkanin Perëndimor, Ditmir Bushati: Politika e zgjerimit të BE-së është ringjallur si nevojë gjeostrategjike

Nga Ditmir Bushati

Kurthi i tapetit të kuq

Presidentja e Komisionit Europian përfundoi vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor.

Vizita, e cila i paraprin publikimit të raporteve që shqyrtojnë progresin e vendeve tona drejt BE-së, synonte ngritjen e moralit tek grupi i vendeve, të cilat, në mënyrë paradoksale kanë fituar statusin e “kandidatëve profesionistë”, për shkak të zvarritjes së këtij procesi mbi dy dekada.

Shpesh zyrtarët e BE-së kritikohen për rrumbullakësinë e mesazheve që përçojnë apo gjuhën e drunjtë që përdorin.

Megjithatë, kur analizon mesazhet e  Ursula von der Leyen në gjashtë kryeqytetet e rajonit, kupton se qëllimi i vizitës ishte më shumë simbolik sesa përmbajtësor.

Për t’i kujtuar vendeve të rajonit se politika e zgjerimit të BE-së është ringjallur, si një nevojë gjeostrategjike pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Njëkohësisht edhe vendeve anëtare të BE-së, që edhe pse besojnë se zgjerimi dhe konsolidimi i projektit europian është i nevojshëm dhe i pashmangshëm, nuk janë ende gati për të mbështetur një plan të qartë anëtarësimi, të shoqëruar me veprime të dyanshme.

Për shkak të mjedisit gjeopolitik asgjesues BE-ja është në proces transformimi nga një komunitet që fillimisht kishte në fokus tregtinë dhe ekonominë, në një projekt gjeostrategjik; nga një influencues i butë në ndërtimin e institucioneve demokratike në një ushtrues i pushtetit të fortë, duke vendosur theksin tek siguria, energjia, sanksionet e madje tek politikat industriale dhe autonomia strategjike.

Vështruar në këtë kontekst, dy vija të kuqe do të jenë të pakalueshme edhe për vetë Komisionin Europian përballë vendeve anëtare në lidhje me progresin e vendeve kandidate: linjëzimi gjeopolitik dhe reformat e qëndrueshme në lidhje me sundimin e së drejtës në ekonomi.

Megjithëse ndërlidhja e procesit të zgjerimit me nevojën kritike për ndërtimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës u përmendën më së shumti në Serbi, është e qartë se në rajonin tonë, duke iu referuar raporteve të OSBE-ODIHR, organizimi i zgjedhjeve përbën sfidë më vete.

Jetëgjatësia dhe personalizimi i pushtetit janë tipare dalluese në Ballkanin Perëndimor. Madje, edhe në ato raste ku rotacioni politik është mundësuar, ai nuk është shoqëruar me agjendë transformuese dhe vështrim për nga e ardhmja.

Në Shqipëri, presidentja e Komisionit u tregua e kujdesshme të theksonte se objektivat tona për përmbylljen e bisedimeve për anëtarësim në BE duhet të përputhen me realitetin. Përkujtimi i masakrës së Srebrenicës në Bosnje-Hercegovinë ishte një sinjal i qartë ndaj mohimit të genocidit dhe rishkrimit të historisë që frymëzohen nga Beogradi zyrtar.

Maqedonisë së Veriut iu rikujtua domosdoshmëria për të zbatuar angazhimet e ndërmarra me Bullgarinë, në kuadër të bisedimeve për anëtarësim në BE. Ndërkohë, më të përgjithshme ishin mesazhet drejtuar Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, në mungesë të një oferte konkrete për përparimin e tyre drejt BE-së.

Thuajse në të gjitha ndalesat në rajon u fol për Planin e Rritjes Ekonomike, cili pavarësisht granteve dhe kredive të mobilizuara ofron rezultate të kufizuara.

Në rastin më të mirë barazon vendet e rajonit me Ukrainën e Moldavinë, por nuk ndryshon trajektoren e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor dhe konvergimin e nevojshëm ekonomik e zhvillimor me mesataren e BE-së.

Nëse krahasojmë grantin prej 2 miliardë euro të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor me grantin prej 357 miliardë euro për vendet anëtare, në kuadër të Gjeneratës së Ardhshme të BE-së, kontrasti është rrënqethës.

Gjatë ciklit buxhetor, që përkon me ambicien e shprehur të Malit të Zi e Shqipërisë për përmbylljen e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE,  Ballkani Perëndimor do të marrë grante nga BE-ja, mesatarisht, në një vlerë deri në 619 euro për frymë.

Ndërsa grantet për frymë në shtetet anëtare të BE-së që na rrethojnë shkojnë nga 3.540 euro për sllovenët, në 5.700 euro për grekët, dëshmi e faktit se hendeku zhvillimor mes nesh nuk po zbutet, por po thellohet.

Ndërkohë që presidentja e Komisionit Europian shmangu kurthin e tapetit të kuq, që rëndom përdoret nga udhëheqësit vendorë për të nxitur propagandën dhe çertifikuar pushtetin e tyre, ajo nuk arriti të përçonte shpresë tek qytetarët e rajonit.

Shpresa vjen prej të vërtetës dhe trajtimit të qytetarëve të rajonit si qytetarë europianë. Prej konsolidimit të projektit europian që ka të bëjë me: a) një premtim të besueshëm të bashkërenduar mes Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së se çdo shtet mund të arrijë realisht anëtarësimin; b) një mjedis politik të brendshëm bashkëpunues për afatin kohor të zbatimit të reformave që burojnë nga bisedimet, dhe bashkëidentifikues për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare në BE; c) ndihmë financiare dhe programe mbështetëse për të përmbushur standardet dhe zbutur hendekun zhvillimor.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×