Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar me tone të ashpra pas rrëzimit nga mazhoranca të një rezolute që kërkonte njohjen e genocidit serb në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, Shehu e ka cilësuar votën kundër të Partisë Socialiste si një akt të turpshëm dhe politikisht të papranueshëm.
“‘Të kuqtë’ votojnë ‘kuq’ për të mos njohur genocidin serb në Kosovë! Maxhoranca rrëzon rezolutën për njohjen e genocidit serb në Kosovë!”, shkruan ai, duke theksuar se kjo rezolutë ishte hartuar në të njëjtën frymë me atë të miratuar më herët nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas Shehut, miratimi i rezolutës do të kishte hapur rrugën për një mbështetje të qartë institucionale nga qeveria shqiptare për të çuar çështjen e genocidit në instancat ndërkombëtare të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare.
“Rama dhe maxhoranca e rrëzojnë. Nuk pranojnë kështu genocidin serb në Kosovë!”, përfundon reagimin e tij deputeti demokrat, duke akuzuar qeverinë se po heziton të mbajë një qëndrim të qartë në mbështetje të Kosovës dhe të viktimave të dhunës serbe.
BalkanWeb