Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, tha se kryeministri Edi Rama kërkon të marrë edhe Këshilli e Integrimit Evropian, ku sipas tij, ky forum që kur është krijuar sipas modelit kroat nuk duhet të jetë pronë e një partie të vetme.
Ai tha se nga dita e parë drejtimi i këtij Këshillit i është lënë opozitës.
“Asgjë nuk e ngop më, Edi Rama kërkon edhe Këshillin Kombëtar të Integrimit! Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian është forumi më i lartë këshillimor për procesin e anëtarësimit në BE. Ai u krijua në vitin 2015 sipas modelit kroat, jo si pronë e një partie, por për gjithëpërfshirje në proces, për rritje të transparencës, për komunikim me publikun, për afirmim të rolit të opozitës në proces.
Për këtë arsye, që nga dita e parë, drejtimi i Këshillit i është lënë opozitës.
Por sot, Edi Rama ka kërkuar t’ia marrë edhe këtë hapësirë parlamentare opozitës, duke kërkuar bashkëdrejtimin e Këshillit të Integrimit. Vetëm një i pangopur me pushtet mund të kërkojë të marrë nën kontroll edhe një organizëm parlamentar këshillimor.
Të mos mjaftohesh as me qeverinë, as me Kuvendin, as me pushtetin lokal dhe as me kontrollin e të gjitha pushteteve në vend, është një obsesion i rrezikshëm i pushtetarit që ka gjithçka dhe nuk e kënaq më asgjë. Këshilli i Integrimit nuk u krijua për t’i shërbyer kryeministrit, por Shqipërisë të marrë zvarrë nga i njëjti kryeministër, që vonoi 15 vjet nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Me obsesionin e etjes së pashuar për pushtet, mos u habisni kur Edi Rama të dojë të bëjë edhe punën e ambasadorit të BE-së në Tiranë!
Për Grupin Parlamentar të PD ky është një regres i papranueshëm në hapësirën dhe rolin institucional që ka opozita në Kuvend dhe në procesin e integrimit. Procesi i integrimit europian duhet të mbetet gjithëpërfshirës dhe demokratik. Çdo përpjekje për ta kthyer në pronë personale është një hap prapa për vendin dhe nuk i shërben aspiratës së përbashkët për anëtarësim në BE.”, shkruajti Bardhi në një postim në Facebook.
BalkanWeb