Gazetari Enton Abilekaj ka komentuar kandidaturën e aktorit dhe aktivistit Florjan Binaj për Bashkinë e Tiranës, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24, duke e cilësuar atë si një kandidat të pavarur, por që po mbështetet gjerësisht nga spektri opozitar.
Sipas Abilekajt, Binaj vjen jashtë partive politike tradicionale dhe nuk ka pasur lidhje me Partinë Demokratike në të shkuarën, madje në disa raste ka mbajtur qëndrime të distancuara ndaj saj.
“Binaj është kandidat i pavarur dhe kjo nuk diskutohet. Partia me të cilën ai ka më shumë largësi është PD, aq sa e njoh dhe me veprimtarinë publike që ka bërë ai. Ai është ruajtur të largohet nga PS si imazh, ndërsa me PD s’ka pasur lidhje fare,” tha Abilekaj.
Gazetari kujtoi se në protestat qytetare ku Binaj ka qenë i angazhuar, ai shpesh ka qenë kritik edhe ndaj përfshirjes së partive politike në to.
“Një nga njerëzit që insistonte që PD të mos kishte të drejtën e fjalës në protestat civile ishte Florjan Binaj,” theksoi ai.
Sipas Abilekajt, kandidimi i Binajt është një lëvizje e mençur politike në një moment ku opozita kërkonte një figurë të re dhe të jashtme ndaj sistemit politik aktual.
“Ai gjeti një moment oportun, ku opozita kërkonte një kandidat të pavarur. Kjo nuk e bën atë të varur nga këto parti. Ai shfrytëzoi një mundësi dhe kuptoi se kjo ambicie e tij mund të realizohet me mbështetjen e një partie të madhe si PD,” tha gazetari.
Megjithatë, Abilekaj shtoi se marrëdhënia e Binajt me Partinë Demokratike do të varet nga zhvillimet e mëtejshme gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve.
“Më pas, marrëdhënia e tij me PD mbetet për t’u parë në vijim.”
Në fund, gazetari vlerësoi figurën e Binajt si tërheqëse për publikun, veçanërisht për të rinjtë dhe për qytetarët që kërkojnë ndryshim. “Besoj se Binaj është një figurë që të rinjtë e duan dhe popullsia në përgjithësi e ka dashur. Duket qartë mbështetja që ka në rrjetet sociale.”
BalkanWeb