Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u zhvillua sot seanca për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë për 14 shtetas të arrestuar gjatë kësaj jave në një lokal pranë segmentit rrugor Elbasan–Ish-Metalurgji, në fshatin Katund i Ri.
Arrestimet u realizuan si rezultat i një operacioni policor të koduar “Fast”, i cili u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Operacioni u organizua pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën e Posaçme Operacionale.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit T.Z., u kapën në flagrancë 14 persona, të cilët sipas Policisë rezultojnë me precedentë penalë të theksuar në fushën e krimeve kundër personit dhe narkotikëve, duke përbërë rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Të arrestuarit janë:
- E. T., 39 vjeç; H. M., 25 vjeç; A. K., 49 vjeç; M. S., 47 vjeç; B. M., 53 vjeç (sipërmarrës); J. M., 30 vjeç; A. D., 49 vjeç; E. D., 29 vjeç – banues në Tiranë;
- T. Z., 52 vjeç; S. M., 46 vjeç; E. C., 36 vjeç; E. C., 32 vjeç – banues në Elbasan;
- B. H., banues në Itali;
- Një 17-vjeçar, djali i pronarit të lokalit.
Gjatë operacionit dhe kontrolleve të mëvonshme në lokalin dhe banesat e personave të ndaluar, u sekuestruan:
- 3 armë zjarri (pistoleta) dhe municion luftarak
- Dorezë elektroshoku (neuroparalizuese)
- 4 radio të ngjashme me ato të Policisë
- Jelek me mbishkrimin “Policia”
- Objekte që ngjajnë me armë zjarri dhe sinjalizues në formë pistolete
- Thikë, shkop metalik
- Shuma të konsiderueshme parash, 4 automjete, 13 celularë dhe pajisje DVR
Prokuroria ka dokumentuar veprimtarinë e tyre kriminale dhe ka ngritur akuza për një sërë veprash penale, të kryera në bashkëpunim, përfshirë:
- “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”
- “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”
- “Moskallëzimi i krimit”
- “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”
- “Përkrahja e autorit të krimit”
- “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”
- “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe pretendimeve të palëve, gjyqtarja Megi Strakosha shpalli masat e sigurisë për të arrestuarit:
- Masa “detyrim paraqitje” për biznesmenin Bujar Muça
- “Arrest me burg” për 6 persona
- “Detyrim paraqitje” për 5 persona të tjerë
- “Arrest në shtëpi” për 1 shtetas
Policia dhe Prokuroria kanë bërë me dije se hetimet do të vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm dhe për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij grupi.
BalkanWeb