Partia Demokratike ka reaguar për mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve të PD në mitingun e organizuar në mbështetje të UÇK-së në Tiranë.
Sipas një deklarate në orët e mbrëmjes, PD thotë se nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, në proces gjyqësor në Hagë.
“Spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesa e skenarit të përhershëm anti-opozitar te Ramaduros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë.
Siç theksohet në deklaratën e Partisë Demokratike të sapo hedhur dhe në qëndrimet e ditëve të fundit dhe të përhershme të kryetarit të saj, Berisha, kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare”, thuhet në deklaratën e PD.
BalkanWeb