Ka dëshmuar sot në GJKKO, Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijaku. Ky i fundit është një personazh i njohur i botës së krimit, që përfundoi i plagosur nga atentati te mbikalimi i Shkozetit në 2019. Gazetarja Klodiana Lala siguroi për BalkanËeb dëshminë e Muçës para togave të zeza.
“Në 2019 kam jetuar në Sukth. Të pandehurit, nuk i njoh, kam dëgjuar si emër Plaurentin, se të dy nga Durrësi, por s’kam lidhje me të.”, tha ai. Ndërkohë, ai tregoi se për atentatin ndaj të vëllait, lajmin e kishte marrë vesh nga televizori.
“Aleksandër Lahon e kam vëlla. Në 2019 e kanë plagosur, e kam parë nga televizori, isha në palestër. Më mbrapa mora vesh që la qenë në mjet me Andi Malokun, Arjan Ndojin, Po vinte nga rruga e plazhit. Pasi shkova në spital na ra si bombë se me këto palë nuk kemi pasur asnjë konflikt, ‘pse i bë, qysh u bë’. Sepse ai ka qenë shumë i aksidentuar, edhe sot është gati invalid. Ai thotë ‘na kanë gjuajtur nga mbrapa’, dhe një plumb e ka kapur në kokë, andaj ai s’mban mend asgjë. Doktorët thonë ka pësuat traumë. Jemi munduar të dimë të vërtetën, se me këta njerëz nuk kemi lidhje. Informacionet më të detajuara i ka shteti. Nuk mund ta di se nuk kemi pasur njeri më para. Kanë ardhur njerëz për vizitë.” , tha ai.
Sakaq, Muça rrëfeu dhe njohjen me ish-prokurorin Ndoj. “Arjan Ndojën e kam takuat nja 2-3 herë. Ka thënë t’ia lëmë kohës, se nuk e dinim nga na kishte ardhur. Me familjen e Andi Malokut njihemi si bashkëfshatarë. Vëllai ka patur në përdorim një ‘Benz’ si rrumbullak, i zi. Bashkim Malokun, Zamir Çyrben i njoh si komshi. I kam takuar si bisedë tavoline, si na erdhi, nga na erdhi. Mesa di unë nuk e ka patur makinën në emër të tij. Në portin e Durrësit kam kunatin, Oraldo Muça që punon.
Mond Çekiçin e kam njohur, jo ndonjë miqësi, por e kam respektuar, më ka respektuar.”, shtoi vëllai i “Rrumit” gjatë dëshmisë së tij.
Sakaq, në një moment të seancës, avokati Ilia Ilia, pyet Vullnet Muçën, se “pse ka ardhur i shoqëruar sot? Pse je arrestuar?”. Vullnet Muça sqaroi se ishte arrestuar për ca punë pronësie. Ai konfirmoi se nuk kishte bërë asnjë falsifikim dhe se ndaj tij nuk ishte provuar asgjë. “Më kanë dhënë ca dokumente. Jam arrestuar për pune ca mesazhesh, punë pronësie. Bashkim Haxhinë e njoh si emër në televizor. Nuk jam marrë më falsifikim të pronësisë. Janë dyshime, nuk është e provuar. Plaurent Dervishin e njoh si qytetar Durrësi, si kontingjent kriminal. Nga gojëdhënat thuhet se ka patur grup kriminal, por nuk më ka interesuar fare. Aldo Avdylin nuk e njoh. Nuk di a e njeh vëllai. Astrit Avdylin e njoh si çam nga Shijaku. Enea Kumen nuk e njoh. Alfred Dokën, nuk e njoh, nuk e kam idenë fare. Duhet me pyet vëllain a i njeh. Ermir Dedjan, mora vesh që kishte fisin aty nga televizori. Me Edmond Çekiçin kurrë s’kam pasur konflikt. Ermir Bregun nuk e njoh fare. Nuk kam komunikuar me Aldo Avdylin për ta vrarë. Ilir Kokalarin, kurrë se kam dëgjuar. Arjan Ndoja s’e di pse vinte në Sukth, nuk e mbaj mend ekzaktësisht sa vjet e njoh. Andi Maloku përfundoi si shofer nga Arjani. E di gjithë njerëzimi.”, tha ai.
Ilia Ilia, avokati i Plarent Dervishajt, e pyet dhe për faktin nëse e njihte gjyqtarin e vrarë, Skerdilajd Konomin.
Muça: Jo.
Avokati: Plarent Dervishi ka marrë prokurë nga Skerdilajd Konomi për regjistrimin e pronave?
Muçi: Jo.
Avokati: Sipërfaqja prej 40 mijë metrash katrorë, keni dijeni është bërë problem shtetëror?
-Jo.
Ilia Ilia: Stiven Mziun e njeh, ka marrë tokë nga vëllai juaj?
Muça: Mesa di unë, jo. Nuk e di për dosjet që u gjetën në makinën ku i plagos vëllai. Kjo është një situatë pa lidhje. Kemi ra viktimë edhe ne, edhe zotëria (Plarenti). Nga gojëdhënat që qarkullojnë në Durrës, flitet që ky ka qenë aktor i kësaj situate. Nuk kemi interesa pasurorë.
BalkanWeb