Ish-ministri i Mjedisit Lufter Xhuveli, i cili së fundmi botoi një libër ‘Skena dhe prapaskena’, ka qenë sot i ftuari i ditës në programin e drekës në News24. Përballë moderatores Ola Bruko, Xhuveli foli për veprën e tij me ngjarje të jetuara nga ish-ministri.
Madje ai foli dhe për takimet e tij me diktatorin Enver Hoxha, që në kohën kur ai ishte agronom në qarkun e Beratit.
“Ky është libri i 17, por i treti në radhë që kam dalë nga korsia ime e profesionit, e shkencës. Është një sprovë, po testoj veten. Kam gati 2 vite që po merrem me arkivin tim personal. Në punë e sipër më kanë dalë një tufë me ditarë, që më kishin dalë nga memoria. Para 7-8 muajsh, para presionit të disa miqve të mi gazetarë, vura në një volum të vogël poezi të mijat që i kisha shkruar në 66-ën. Në këtë rrugë ndesha me shumë shënime në ditarët e mi, në kronologjinë e jetës time. I kam hedhur në kompjuter, të gjithë aktivitetin tim, ditë për ditë dhe orë për orë. Ka ardhur koha që të kthej kohën pas. Kur flas me miqtë dhe shokët them; unë punoj si një kalë. Kam pasur mundësinë, jam i përkëdhelur nga jeta. Punës sime i është përgjigjur fati im. Kam pasur fatin që jo vetëm të takoj hierarkitë më të lartë. Në një episod kujtoj takimin me Enver Hoxhën. Isha në Berat asokohe kryeagronom. Bëra një diskutim plot fantazi, dhe Enveri më tha; Bravo shoku Lufter! Para se të ngjitesha në podium më thanë; hiqe kollaren. Kur bëra fjalimin ma diktuan një fjali; shoku Enver, para 4 vitesh ju thamë se do të ishim kooperativa më e mirë e rrethit dhe sot duam që të jemi kooperativa që vendoset në luginën e trëndafilave. Ju ftojmë që të mbani fjalën dhe ju. Enver Hoxha, që ishte aktor, i ra tavolinës me grusht dhe me atë zërin e tij prej bartoni tha; do e mbaj fjalën dhe do vij nesër në luginën e Trëndafilave. Unë isha agronom. Dhe shtruam drekën, pak bukë misri, pak raki. Për Enver Hoxhën erdhi një tjetër pjatë, ia kishin përgatitur, por se mësova se kush. Edhe gotën e rakisë pothuajse nuk e preku. Foli kryetari i Kooperativës dhe më pas ngeli një pauzë e vogël. Ai tha; po tani çdo të bëjmë? Po ja ta shohim tha ai. Mua ma kishin vënë në anë të tavolinës. Ja tha Enveri; të na flasë agronomi. Na kishin porositur, që të bënim përshtypje të mirë, ‘të komandanti’, që të diskutonim pa letër. Na porosiste stafi i tij. Flisnim pa letër. Ishim një shpurë e madhe. Më thanë se diskutimin e kishte pëlqyer. Ai e ka shkruar dhe në një nga veprat e tij.”, tha Xhuveli.
Kjo i hapi rrugën takimeve të mëpasshme?
“Po po. Ne e adhuronim në atë kohë. Televizor nuk kishte fare në atë kohë. Flisnim veç për Enverin. Na e kishin hequr trurin e vogël, Nuk mendonim dot ndryshe. Kur e sheh nga afër, ndryshon mendim. Në rastin konkret, kam dyshuar shkallë-shkallë për gjëra që nuk shkonin. Foli për majdanozin, ndërsa unë e dija atë punë. Bënte ca pyetje që ishin pa përgjigje. Erdhi në 22 tetor, në 25 vjetorin e krijimit të parë të qeverisë demokratike, se u krijua në Berat. Kur u takuam në atë kohë, ai më mbajti mend, madje më prezantoi me dikë. Luajta rolin e ciceronit. Në atë takim nuk mu duk në formë apo as i qeshur si përpiqet dikush që në mënyrë të sforcuar ta japë veten të tillë. Takimi i tretë ka ndodhur në Tiranë në vitin 71. Ka qenë një tjetër aktivitet.”, tha Xhuveli. Madje ai shtoi se kishte pasur mundësi që të punonte dhe takohej dhe me Ramiz Alinë.
BalkanWeb