Tiranë, 18 tetor 2025 – Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur alarmin për nivelin e lartë të TVSH-së mbi produktet ushqimore bazë në Shqipëri, duke e krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe të Bashkimit Europian. Përmes një postimi në Facebook, ajo thekson se shqiptarët paguajnë 20% TVSH për ushqimet e shportës, duke qenë kështu vendi me barrën më të rëndë fiskale për produktet bazike.
“A e dini që Shqipëria ka TVSH-në më të lartë për ushqimet bazë në gjithë rajonin?”, shkruan Xhixho, duke sjellë krahasime konkrete: në Kosovë TVSH-ja është 8%, në Maqedoninë e Veriut 5%, në Mal të Zi 7%, në Greqi 6%, ndërsa në Itali vetëm 4%.
Deputetja nënvizon se pasojat e kësaj barre fiskale ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët, të cilët detyrohen të shpenzojnë deri në 40% të buxhetit familjar për ushqim, ndërkohë që çmimet janë rritur ndjeshëm dhe pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm.
Xhixho kujton se në vitin 2013, kryeministri Edi Rama kishte premtuar zero TVSH për produktet e shportës, si buka, qumështi, vaji, vezët, mielli dhe orizi, por sipas saj, ky premtim nuk është mbajtur.
“12 vite më vonë, jo vetëm që ky premtim nuk është përmbushur, por çmimet janë dyfishuar dhe familjet shqiptare janë lodhur duke mbajtur peshën e një shteti që nuk u lehtëson jetën,” shkruan ajo.
Në këtë kontekst, Partia e Lirisë ka depozituar një propozim në Kuvend për uljen e TVSH-së për produktet bazë nga 20% në 5%. Sipas Xhixhos, kjo është një masë jo vetëm ekonomike, por edhe sociale, që synon të lehtësojë realisht jetën e qytetarëve në kushtet e krizës së kostos së jetesës.
“Nuk po flasim për luks, po flasim për mbijetesë. Është koha të veprojmë me masa konkrete dhe të prekshme për njerëzit,” përfundon ajo.
BalkanWeb