Në emisionin “Kjo Javë” në News24 ka qenë historiani, Paskal Milo, i cili foli mes të tjerash edhe në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Milo u shpreh se ka qenë skeptik ndaj arritjeve të objektivave, pasi vendet e rajonit si Mali i Zi dhe Serbia, tashmë ndodhen në një proces që ka zgjatur mbi dhjetë vjet për secilin nga këto shtete.
Ai u shpreh se i ka bërë përshtypje ecuria e Shqipërisë në hapjen e shumë kapitujve në vetëm dy vite. Nga ana tjetër, ai e konkludon duke thënë se ky ritëm ka ardhur si pasojë e rrethanave gjeopolitike, gjë që na ka favorizuar ndryshe nga vendet e rajonit.
“Unë kam qenë skeptik për arritjen e këtyre objektivave sepse kam patur parasysh përvojën e vendeve të tjera të rajonit të cilat kanë filluar kanë filluar negociata për anëtarësimin në BE shumë para nesh.
Që nga 2012 ka filluar Mal i ZI, në 2014 ka filluar Serbia. Ato kanë 13 vjet dhe tjetra ka 11 vjet dhe nuk po i përfundojnë akoma.
Ndërsa, Shqipëria i filloi shumë vonë dhe ka dy vjet maksimumi. Por ka hapur shumë kapituj. Këtu duhet të gjykohet, është plotësisht merita e Shqipërisë që ka ritme të larta zhvillimi dhe plotëson standartet siç i kërkon BE apo kanë ndryshuar rrethana gjeopolitike, të cilat e ndihmojnë Shqipërinë në arritjen e objektivave që ajo ka?
Unë besoj se këtu është ndryshimi nga vendet e rajonit”, tha ai.
Ndërkaq, Milo ka folur dhe për tensionet e krijuara së fundmi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas tij, nuk duhej kurrsesi që liderat e dy shteteve të “bien pre” e emocioneve dhe tensioneve. Ai thekson se duhet patur “frena” nga të dyja palët, në mënyrë që të mos kapërcehet kufiri.
“Çdo lider, i të dyjave anëve të kufirit duhet të ketë frena të forta për të mos rënë viktimë e emocioneve dhe pse jo edhe i ambicieve”, tha ai.
BalkanWeb