Zbardhen detaje nga seanca që çoi në arrestimin e avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit.
Dje, më datë 17.10.2025, është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi etj., seancë e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.
Avokati mbrojtës i shtetasit Maksim Suçi, avokat Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.
Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.”
Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim.
BalkanWeb