TIA dhe Kastrati Group bashkohen me YWCA Albania në ecjen kundër kancerit të gjirit – “Unë jam e fortë!”

Në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit dhe për të rritur ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” (TIA) dhe Kastrati Group u bashkuan me YWCA Albania në organizimin e ecjes simbolike nën moton “Unë jam e fortë!”. Aktiviteti u zhvillua sot, në orën 11:00, në ambientet e aeroportit.

Kjo iniciativë, tashmë e kthyer në një traditë të rëndësishme të Tetorit Rozë, synon të përçojë mesazhin se parandalimi dhe zbulimi i hershëm shpëtojnë jetë. Çdo vit, në këtë aktivitet marrin pjesë gra dhe burra, paciente dhe të mbijetuara, institucione publike e private, kompani dhe qytetarë të shumtë që ecin së bashku në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje.

Para fillimit të ecjes, vullnetaret e YWCA Albania shpërndanë fjongo rozë, bluza dhe materiale informuese mbi rëndësinë e vetëkontrollit dhe kontrolleve të rregullta mjekësore, duke theksuar domosdoshmërinë e ndërgjegjësimit publik.

Në përmbyllje të aktivitetit, u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve “Vullnetar i Fjongos Rozë”, ku u vlerësuan individë dhe institucione që kanë kontribuar me përkushtim në mbështetje të kauzës kundër kancerit të gjirit. Çmimet u dorëzuan nga përfaqësuese të njohura të politikës dhe institucioneve publike, si Klodiana Spahiu, Manjola Luku, Eugena Tomini, Edina Kozmo dhe Ash Çetinel.

Siç u shpreh Silva Uzuni, anëtare e Bordit të TIA:
“Është një kënaqësi dhe një nder të mirëpresim një nismë që mbart ndjeshmëri, forcë dhe solidaritet njerëzor. Në kompaninë tonë, shëndeti dhe mirëqenia e mbi 400 punonjëseve gra është prioritet, dhe për këtë arsye kemi politika të forta për kontrollet parandaluese dhe diagnostikimin e hershëm. Sot, ecim së bashku për veten tonë, për gratë që përballen me këtë sëmundje dhe për shpresën që na bën më të fortë.”

Ecja simbolike përçoi një mesazh të fuqishëm solidariteti, shprese dhe kujdesi – një thirrje për të gjitha gratë që të kujdesen për shëndetin e tyre dhe për të qëndruar të forta përballë sfidave.

Le të ecim së bashku për shëndetin, jetën dhe shpresën!

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×