Nënkryetari i Kuvendit dhe Nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj ka reaguar në lidhje me protestën e minatorëve në Spaç, duke denoncuar sipas tij indiferencën e institucioneve shtetërore dhe të kompanisë ndaj situatës.
Në një status në rrjetet sociale, Gjekmarkaj shkruan se është e papranueshme që në Shqipërinë e vitit 2025 punëtorët të detyrohen të hyjnë në grevë për të kërkuar atë që u takon me ligj.
“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe asnjë punëtor nuk duhet të lihet i braktisur”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
Deklaratë mbi situatën e minatorëve në Spaç
Dënojmë me forcë indiferencën e institucioneve shtetërore dhe të kompanisë ndaj situatës së rëndë të minatorëve në Spaç, në Mirditë.
Prej ditësh, dhjetëra punëtorë qëndrojnë në shi dhe në të ftohtë, duke kërkuar të drejtat e tyre më elementare, paga të drejta, kushte të sigurta pune dhe respektim të dinjitetit njerëzor.
Është e papranueshme që në Shqipërinë e vitit 2025 punëtorët të detyrohen të hyjnë në grevë për të kërkuar atë që u takon me ligj.
Kërkojmë që institucionet përgjegjëse dhe drejtuesit e kompanisë të ulen menjëherë në dialog me grevistët dhe të gjejnë një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me minatorët e Spaçit, të cilët po përballen me kushte ekstreme për të mbrojtur të drejtat e tyre. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe asnjë punëtor nuk duhet të lihet i braktisur.
BalkanWeb