Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 20 persona, nëpunës publikë, të gjithë të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.2069, të vitit 2025, rezultoi se shtetasit M.K., E.H., G.Xh., I.A. A.Gj., L.K. E.P., L.H., M.P., E.F., A.L., E.R., I.B., A.Z., A.Gj., S.P., A.I., A.Dh., K.N., A.A. kanë kryer veprëm e mësipërme në dëm të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) për shtatë procedura prokurimi, të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake dhe fond limit 525,000,000 lekë pa TVSH.
Procedurat për të cilat u konstatuan shkelje kishin të bënin me prokurimet për “Shpenzime mbrojtje bimësh dhe luftimi i parazitëve në bujqësi”, për ‘Blerje pajisje për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta), “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit” si dhe për ‘Sistem i monitorimit me kamera për hidrovoret’.
Të pandehurit e mësipërm, në cilësinë e personave të ngarkuar me funksion publik, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për secilën procedurë tenderimi kanë vepruar në kundërshtim me ligjin ose ligjet që normojnë veprimtarinë përkatëse të personit që ushtron funksion publik konkret. Duke përbërë në këtë mënyrë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë.
Hetimi i procedurave provoi se janë konsumuar elementet e veprës penale dhe se kanë kryer veprime që nuk janë të justifikuara në lidhje me mangësitë për përcaktimin e kritereve të mallrave që kërkohen, por mbi të gjitha krijohet bindja se testimi i tregut është kryer në mënyrë fiktive.
Pas njohjes me tërësinë e akteve të sipërcituara, vlerësohet se ekziston bindja e bazuar në prova, se nga ana e anëtarëve të njësisë së prokurimit, është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës, referuar llojit të procedurës së zgjedhur për prokurimet, krim i parashikuar përkatësisht nga neni 248-25 i Kodit Penal.
BalkanWeb