Jo vetëm rezultatet në fushën e lojës, por së fundmi te Barcelona po shqetëson edhe situata financiare e cila vijon të mbetet kritike, edhe pse janë ndërmarrë masa të ndryshme për të stabilizuar bilancin e klubit katalanas. Presidenti Joan Laporta dhe stafi i tij po përballen me një borxh të konsiderueshëm, i cili arrin ende në rreth 159 milionë euro për transfertat e bëra në vitet e fundit.
Nga shifrat e fundit të publikuara në asamblenë e anëtarëve, Barcelona ka ende detyrime të papaguara ndaj klubeve të mëdha europiane. Kështu 13 milionë euro duhet t’i paguhen Manchester City për Ferran Torres, ndërsa 10 milionë janë borxh ndaj Bayern Munich për transferimin e Robert Lewandowskit. Po ashtu, 19 milionë euro janë të lidhura me Dani Olmo, ndërsa 17 milionë për brazilianin Vitor Roque.
Në total, pagesat që Barcelona duhet të përmbushë për blerjet e fundit arrijnë në 159 milionë euro, duke përfshirë edhe shumë shuma më të vogla ndaj klubeve të Ligue 1 dhe ekipeve më të vogla. Situata e rënduar financiare sjell presion të madh mbi drejtuesit, që do të jenë të detyruar të gjejnë zgjidhje për të menaxhuar më tej krizën ekonomike.
Në një sezon ku edhe performanca sportive kërkon përmirësim, sfidat financiare mbeten një pengesë serioze për projektin e rikthimit të Barcelonës në majat e futbollit europian.
BalkanWeb