Raportimi te ‘Ligjet’/ Blushi: Qasje represive e SPAK ndaj opozitës dhe qytetarëve! Kryetarja e KLP: Çështje perceptimi, ka njerëz më të ashpër dhe më tolerantë

Një diskutim ka ndodhur sot në Komisionin Parlamentar, ku deputeti i PL Tedi Blushi ka pyetur drejtuesen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, në lidhje me qasjen që ai e quajti “inkuzicion” të prokurorisë shqiptare ndaj opozitës dhe qytetarëve.

Në një deklaratë të gjatë dhe kritike, Blushi u shpreh se “Republika e Prokurorëve” po kthehet në një kërcënim serioz për shtetin e së drejtës, duke sfiduar autoritetin e institucioneve të tjera. Ai akuzoi prokurorët se po e tejkalojnë rolin e tyre kushtetues:

“Prokurorët nga akuzatorë po kthehen në inkuizitorë ndaj qytetarëve të thjeshtë, e sidomos ndaj opozitës. SPAK është në krye të këtij inkuzicioni me një qasje të hapur represive ndaj pluralizmit politik,” deklaroi Blushi.

Ai vijoi duke kritikuar sistemin për mbajtjen e shumë qytetarëve në paraburgim pa akuza konkrete, duke theksuar se një në tre të paraburgosur ndodhen pas hekurave pa asnjë aktakuzë. “Po krijoni perceptimin e rremë se Akuza jep drejtësi, kur në fakt këtë e bën vetëm gjykata,” tha ai.

Blushi gjithashtu e quajti “barbarizëm institucional” arrestimin e një avokati dy ditë më parë, duke kritikuar KLP-në për heshtjen e saj publike ndaj këtij veprimi, që sipas tij, duhej të kishte tronditur themelin e shtetit të së drejtës.

Në fund, Blushi ngriti dyshime për ndikime të huaja në emërimet brenda strukturave të drejtësisë, duke pyetur drejtpërdrejt Bogdanin nëse kishte marrë sugjerime nga diplomatë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.

Mirela Bogdani, në përgjigjen e saj, mohoi kategorikisht që KLP të ketë ndonjë rol në ndonjë procedim penal apo ndërhyrje në dosje:

“KLP nuk ndërhyn në asnjë rast, në asnjë dosje. Ky është thelbi i reformës në drejtësi. Ne merremi vetëm me vlerësimet e indikatorëve profesionalë në një fazë të mëvonshme, jo gjatë procedimeve penale.”

Sa i përket akuzave për qasje represive të SPAK, Bogdani tha se është çështje perceptimi: “Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një qasje represive. Të gjithë jemi ndryshe, edhe binjakët identikë janë të ndryshëm. Ka njerëz më të ashpër, disa më tolerantë. Janë faktorë natyrorë, personalë, edhe biokimikë. Por kjo nuk do të thotë që ka presion institucional.”

Bogdani shtoi se KLP vëzhgon sjelljen e prokurorëve në mënyrë periodike, por nuk ka asnjë autoritet mbi vendimmarrjen brenda hetimeve konkrete.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×