Pedagogu i së drejtës kushtetuese, Neritan Alibali, ka reaguar për arrestimin e avokatit Uljan Barjami në sallën e gjyqit, ngjarje që ka shkaktuar debat të gjerë në opinionin publik dhe komunitetin juridik. I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Alibali e cilësoi këtë ngjarje si një simptomë të shqetësimeve më të thella në sistemin e drejtësisë, duke vënë në pikëpyetje balancat e pushteteve brenda tij.
“Arrestimi i një avokati në sallën e gjyqit më kujton kohën e Enver Hoxhës, kur avokatët jo vetëm arrestoheshin, por edhe pushkatoheshin. Kjo është pasojë e reformës në drejtësi,” u shpreh Alibali.
Sipas tij, reforma ka sjellë një transformim të thellë në rolin e prokurorit, i cili tashmë, sipas Alibalit, është bërë “mbret në sallën e gjyqit”, duke lënë në hije autoritetin e gjykatësit.
“Vetë ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë është bërë në mënyrë korporative. Është krijuar një strukturë vetëqeverisëse që ka forcuar ndjeshëm pozitën e prokurorit, ndërsa gjykatësi është reduktuar në një rol certifikues të kërkesave të tij,” tha Alibali.
Ai ngriti shqetësimin se nëse sot ndodhi arrestimi i një avokati në sallën e gjyqit, nesër mund të jemi përballë një situate ku një gjyqtar ndjeket penalisht vetëm pse nuk ka pranuar kërkesën e një prokurori për masë sigurie apo vendim tjetër.
“Duhet të reflektojmë nëse jemi duke ndërtuar një sistem drejtësie të balancuar apo një sistem ku një pushtet merr epërsi absolute mbi të tjerët. Nëse ky trend vijon, nuk përjashtohet që nesër prokurorët të kërkojnë ndjekje penale për gjyqtarët vetëm pse nuk iu binden,” paralajmëroi pedagogu.
BalkanWeb