Ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë gjobën prej 4 milionë eurosh të vendosur nga Drejtoria VIP e Tatimeve ndaj “Prestige Resort”, si antiligjore, abuzive dhe një akt të pastër hakmarrjeje. Kjo gjobë është vendosur plot 3 vite pas shembjes së resortit, çka e bën situatën edhe më të pazakontë.
Eksperti i ekonomisë Dorian Teliti, e lidh këtë vendim me zhvillimet e fundit ndaj grupit mediatik News24 dhe Panorama Group.
“Kjo është thjesht dhe qartësisht vazhdimi i luftës që i bëhet jo thjesht Prestige Resort por Grupit Hysenbelliu duke përfshirë News 24, Gazeta Panorama dhe ”, tha Teliti.
Prestige Resort u shemb nga autoritetet në vitin 2022. Vendosja e një gjobe disa vite më vonë, për ekspertin e ekonomisë Mateo Spaho, është tregues i një procesi tërësisht të gabuar dhe abuziv.
Ideja është që është abuzive e gjithë mënyra sesi kemi arritur në këtë situatë. Gjoba është vetëm një nga elementët që i shtohen kësaj çështje”, deklaroi Mateo Spaho.
Sipas Dorian Telitit, edhe procedura e ndjekur nga administrata tatimore nuk është në përputhje me ligjin. Ai thotë se vendimi është marrë në shkelje të qartë të procedurave tatimore.
“Ndaj kjo është antiligjore pikërisht për faktin se procedura e ndjekur me informacionin që ne disponojmë nuk është procedura e duhur”, shprehet Teliti.
Ndërkohë, eksperti Mateo Spaho kërkon sqarime publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për vendimin e marrë. Ai thekson se vendosja e një gjobe ndaj një subjekti që nuk ekziston prej tre vitesh, është e pakuptimtë.
Sipas Mateo Spahos, administrata tatimore duhet të japë llogari përse është vendosur kjo gjobë, ku kapen, cila është arsyeja.
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit e cilëson Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ekspertët thonë se kjo vjen si pasojë e mungesës së shtetit të së drejtës dhe pasigurisë ligjore për investitorët.
“Ajo që vlen për të theksuar është fakti që të bësh biznes në Shqipëri është e vështirë”, thotë Teliti.
Ndërkohë Mateo Spaho deklaron se: Fatkeqësisht duhet të themi që kjo tregon që jashtë shtetit na klasifikojnë si një vend me demokraci hibride.
Prestige Resort nuk është përballur vetëm një herë me penalitete të rënda nga autoritetet shqiptare. Sipas të dhënave të publikuara më herët, ky investim është gjobitur me mbi 13 milionë euro në tre vitet e fundit, pavarësisht se më parë ishte cilësuar nga vetë shteti si një model i turizmit në bregdetin e Adriatikut.
BalkanWeb