Shqipëria e vajzave do të zbresë në fushë të premten në orën 18:00 për ndeshjen e parë ndaj Qipros në stadiumin “Antonis Papadopoulos”, e vlefshme për fazën play-out të UEFA Nations League. Kombëtarja kuqezi mbyll pasditen e sotme përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa nesër do të udhëtojë drejt Qipros.
Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, kapitenia Megi Doçi dhe mbrojtësja Alma Hilaj kanë folur për fshf.org, duke ndarë emocionet, pritshmëritë dhe objektivat e skuadrës për dy ndeshjet vendimtare ndaj Qipros.
Megi Doçi, kapitenia e ekipit kombëtar, në një prononcim për fshf.org thekson se skuadra do të shkojë drejt Qipros me objektivin për të fituar ndeshjen. Ajo nënvizon se përfaqësuesja qipriote nuk duhet nënvlerësuar.
Si po i pret skuadra këto dy takime? – Vajzat po i presin me emocion të dyja ndeshjet. Do t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës sepse janë shumë të rëndësishme për ne. Ne kemi punuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve që të jemi pjesë e Ligës B.
Objektivat e skuadrës për dy përballjet kundër Qipros dhe biseda me trajnerin – Trajneri çdo ditë na motivon shumë për ndeshjet që kemi në vazhdim. Qipro nuk është një ekip që duhet nënvlerësuar, por do vlerësim maksimal. Besoj se me punën që kemi bërë gjatë gjithë këtyre ditëve, po ashtu edhe ekipi është i plotë, besoj se jemi përgatitur mirë edhe taktikisht dhe me motivimin e duhur, ekipi kombëtar do të shkojë për fitore.
Si e motivon kapitenia Doçi ekipin? – Për mua, duhet të jap maksimumin në fushë për të ndihmuar ekipin kombëtar. Kjo është shumë e rëndësishme dhe motivimi para lojës është i rëndësishem për ekipin.
Alma Hilaj, mbrojtësja kuqezi e Genoa-s rithekson fjalët e trajnerit Grima dhe kapitenes Doçi se këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për skuadrën kuqezi dhe objektivi i vetëm është fitorja.
Si po shkojnë përgatitjet e skuadrës? – Përgatitjet shkojnë shumë mirë. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme, që na ndihmojnë të tregojmë edhe nivelin ku kemi arritur.
Cili është objektivi i ekipit në këto dy ndeshje? – Objektivi ynë është fitorja dhe jemi përqëndruar më shumë te vetja jonë gjatë këtyre ditëve pasi kjo është e rëndësishme. Janë dy ndeshje që besoj dhe duhet të dominojmë. Janë dy ndeshje që do merren si çdo ndeshje tjetër, përgatitja është e njëjtë.
Lojtarja e javës te Genoa në Itali, sa të motivon këtë herë? – Kam ardhur gjithmonë me të njëjtin mendim dhe të njëjtat objektiva. Është diçka që më bën të lumtur pasi jam stërvitur për të dhënë më të mirën, por unë çdo herë që vij në Kombëtare jap më të mirën time.
Shqipëria do të luajë më 24 tetor në ora 18:00 ndeshjen e parë kundër Qipros në stadiumin “Antonis Papadopoulos” në Larnaca. Ndeshja e kthimit do të luhet në stadiumin “Air Albania” më 28 tetor në ora 18:00. Ndeshjet kundër Qipros konsiderohen si finale për ekipin kuqezi të vajzave, të cilat kërkojnë të ruajnë statusin e tyre në Ligën B dhe të vijojnë rrugëtimin në këtë nivel.
BalkanWeb